Ndërpritet uji në Krujë/ Dyshohet si shkaku i helmimit të dhjetra qytetarëve

Të paktën 35 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Krujës me simptoma helmimi në dy ditët e fundit dhe dyshohet se shkak është bërë ui i pijshëm.

Autoritetet njoftuan se kanë ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm deri në mbërritjen e përgjigjeve të analizave.

“Ndërkohë është bërë ndërprerja e ujit të rrjetit, duke qenë se suspekti i parë ka qenë uji që furnizon qytetin. Ndalimi është bërë që në orët e para të mëngjesit dhe nga ai moment nuk ka pasur ujë në popullatë”, tha Redi Rroshi, Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë.

Policia e Krujës njoftoi të hënën pasdite se kishte nisur hetimet me marrjen e informacionit nga spitali i qytetit.

“Pas marrjes së njoftimit mesditën e sotme (e hënë), nga urgjenca e Spitalit të Krujës, se dy ditët e fundit kanë shkuar për ndihmë mjekësore, rreth 35 shtetas, të cilët dyshohet se janë helmuar, menjëherë ka ngritur grupin hetimor, i cili ka shkuar në spitalin e Krujës dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e shkakut”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti i ngjason atij të Bulqizës, ku dy vite më parë u helmuan mbi 80 banorë të lagjes së vjetër të qytetit. Autoritetet fajësuan sërish ujin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT