Lorik Cana VIDEO-MESAZH për vaksinën: E kam bërë për të mbrojtur fëmijët e mi, prindërit e mi! Nuk kisha asnjë dyshim

Ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, përmes një video-mesazhi thotë se është vaksinuar dhe është pro bërjes së vaksinës. Sipas tij, vaksina është mjeti më i mirë deri tani për të luftuar Covid-19, ndaj dhe ai e ka bërë atë për të mbrojtur veten, fëmijët dhe prindërit e tij.
“Mjeti më i mirë për ta përballur, për ta luftuar dhe për ta tejkaluar këtë pandemi do ishte vaksina. Ishte një çështje kohe. Të gjithë i kishim të kthyer sytë tek ajo. Dua të jem 100% i sinqertë duke thënë se nuk kam pasur asnjëherë dyshime rreth efekteve të vaksinës, apo rezultateve të vaksinës.
Pavarësisht a mbulon plotësisht apo akoma pjesërisht, si vaksinë e parë që ka dal. Kam qenë gjithmonë i sigurt se vaksina është një mjet që të ndihmon ty për t’u mbrojtur. Por si prind e kam bërë për të mbrojtur fëmijët e mi, dhe për të mbrojtur prindërit e mi.
Vaksinat tani janë një pjesë e përgjithshme e shoqërisë sonë. Kemi lloj lloj vaksinash. Fëmijët tanë marrin lloj lloj vaksinash. Është faktori pse jetojmë më mirë, jetojmë më gjatë, jetojmë më të shëndetshëm dhe më të fortë. Kam qenë menjëherë i sigurt se është mënyra më e mirë për të mbrojtur të afërmit e mi dhe pastaj të gjithë shoqërinë tonë”, ka thënë Cana, në video-mesazhin e shpërndarë nga Rama.