Botërori i boksit në Serbi nis me fitore, Alban Beqiri fiton ndeshjen e parë

Boksieri Alban Beqiri e ka fituar ndeshjen e parë në Botërorin që po zhvillohet në Beograd. Beqiri, i cili garon në kategorinë 71 kilogramë, mundi boksierin nga Kenia dhe ka kaluar në turin tjetër, ku do të ndeshet me një boksier lituanez.
“Ka përfunduar ndeshja e Alban Beqirit dhe boksierit të Kenias. Beqiri i ka fituar te tre raundet dhe kalon në fazën e dytë, ku më 29.10.2021 do të ketë përballë boksierin e Lituanisë”, – shkruan klubi i Vllaznisë në boks në faqen e vet pas fitores së Beqirit. Boksieri shkodran synon të fitojë medalje në ketegorinë e tij në këtë Botëror, ku Kombëtarja jonë është pritur me vërshëllima, kurse ajo e Kosovës nuk është pranuar.
Kombëtarja e boksit, e drejtuar nga trajneri Zef Gjoni, e ka nisur mbarë kështu Botërorin e Beogradit. Radhën për të garuar e kanë Nelson Hysa dhe Indrit Laçi.