BDI përplaset me Zaev! Ali Ahmeti: Pata bisedë të tensionuar. Artan Grubi: Ai nuk duhet të japë dorëheqje

Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë të tensionuar me Zoran Zaev, i cili njoftoi dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet lokale. Sipas Ahmetit, Zaev nuk duhet të lërë postin e kryeministrit, pasi siç u shpreh ai ka marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin.

“Mbrëmë kam pasur bisedë të tensionuar me Zaevin, pasi nuk jam pajtuar me lëvizjet e tij që ka bërë me tërheqjen nga kryetar i Qeverisë dhe kryetar i LSDM-së. Këto janë zgjedhje lokale, dhe ke plot shembuj nëpër botë që zgjedhjet lokale i fiton dikush tjetër e parlamentaret dikush tjetër. Ne kemi marrë besimin për të drejtuar shtetin”, tha për TV21 kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndersa zëvendëskryeministri i vendit, Artan Grubi, pas takimit me koalicionin qeverisës ka thënë se të gjithë aleatët njëzëri janë shprehur se prononcimi i mbrëmshëm i kryeministrit Zaev për dorëheqje ka qenë i nxituar. Prandaj, ata si aleatë i kanë kërkuar të mos japë dorëheqjen, sepse sipas tij, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë me mazhorancën parlamentare.

Ai po ashtu shtoi se BDI-në këto zgjedhje ka dalë edhe më e fortë pasi në këto zgjedhje ka arritur të marrë 125 mijë vota, më shumë se të gjitha partitë e tjera shqiptare të marra së bashku.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT