Avokati i Fatmir Mediut: “Gërdeci” është mbyllur në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë, nuk mund të prishet! Prokurorët e SPAK janë haluçinantë

Ardian Visha, avokat mbrojtës i ish-ministrit të Mbrojtjës në kohën e Gërdecit, Fatmir Mediu, shprehet se kjo çështje është mbyllur në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë me vendim. Dhe sipas tij, një gjykatë më ulët nuk mund të prishë një vendim të gjykatës më të lartë të vendit, Gjykatës së Lartë.
Ardian Visha në një konferencë për mediat me gazetarët, tha se vendimi i SPAK dhe i Gjykatave të Posaçme ka disa kontradikta. Ai nuk nguroi t’i quante prokurorët e SPAK haluçinantë, duke shtuar se vendimet e arsyetuara prej tyre janë për turp.
“Mbi këtë kazus (çështje) ka një vendim të Gjykatës më të Lartë të vendit. I vitit 2009. Ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk mund të prishet nga një gjykatë më e ulët. Nuk mundet dot një vendim i Gjykatës së Lartë nga një gjyqësor më i ulët”, u shpreh ndër të tjera avokati Visha.
Pjesë nga fjala e Ardian Vishës, avokat i Fatmir Mediut:
E gjitha është ngjizur në një periudhë që përkon para zgjedhjeve, nga familjarët e një prej viktimave. Kjo kërkesë e ripërsëritur disa herë ëhstë konsideruar si risi nga SPAK. Është regjistruar pa procedurën e caktuar.
Kërkesa e drejtuar Gjykatës së Lartë nga SPAK nuk i është njoftuar Fatmir Mediu. Vendimi i është dhënë mediave, pa njoftim zyrtar. Kërkesa e SPAK ishte antikushtetuese dhe e paligjshme.
SPAK na ka dërguar shkresë dhe shprehej se nuk kishte asnjë hetim penal ndaj shtetasit Fatmir Mediu. Edhe nga Prokuroria e Përgjithshme është kthyer përgjigje se nuk kishte asnjë hetim për Fatmir Mediun.
Kjo drejtësi dhe kjo mënyrë e të vepruari, nga titullari dhe nga individi që drejton çështjen, kjo lloj drejtësie nuk është e përcaktuar në binarët e drejtësisë penale.
Vendimi i Apelit të SPAK, një pjesë e prokurorëve janë haluçinantë. Mjafton të shikoni mënyrën e tyre të arsyetimit, është një trup i madh. Akti që ne kontestojmë, është i kësaj natyre dhe përmbajtje: një vendim që ka kontradikta për mënyrën sesi është hartuar.
Janë dy memo që ne kemi dërguar dhe gjyqtarja e çështjes nuk ka vlerësuar asnjë prej tyre. Janë të paktën 35 pika që ne kemi dërguar në një prej këtyre memove dhe asnjë nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja.
Mbi këtë kazus ka një vendim të Gjykatës më të Lartë të vendit. I vitit 2009. Ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk mund të prishet nga një gjykatë më e ulët. Nuk mundet dot një vendim i Gjykatës së Lartë nga një gjyqësor më i ulët.