Rama nga Beogradi: Thelbi i “Open Balkan” është fuqizimi ekonomik! Në janar, në kufijtë e vendeve do të…

BEOGRAD – Në konferencën e përbashkët në Beograd, Kryeministri Edi Rama deklaroi se thelbi i nismës “Ballkani i Hapur” është zgjerimi i ekonomisë dhe heqja e pengesave në kufi.
“Thelbi i kësaj nismë është si të zgjerojmë ekonomitë tona dhe tregjet tona. Tregjet tona janë të vogla, por nëse integrohen, atëherë ato kthehen në të rëndësishme, dhe nxisin edhe investimet e huaja direkte. Më vjen mirë se sot na u dha mundësia që të ballafaqohemi direct me sipërmarrësit dhe problemet e tyre reale. Të gjithë njëzëri, në mbështetje të Ballkanit të Hapur, ata kërkojnë që të nisë zbatimi i atyre që ne shkruajmë në takimet tona”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Ballkani nuk ka asnjë dilemë në lidhje me perpektivën drejt BE, por kërkoi që Unioni të afrohet më shumë me rajonin.
Sipas Ramës, nga janari, do të ketë heqje të “barrierave” në kufi, kryesisht për fermeret dhe bizneset e mëdha.
“Ndërkohë kemi nënvizuar se nuk kemi asnjë lëkundje për të ndërtuar në vendet tona dhe kemi bindjen se ndërkohë që BE është i zhytur në dilema te veta, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit. Jemi angazhuar që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët”, tha Rama./Gazeta SHQIP