Takimi me Kurtin, zyrtarja e lartë amerikane: Biden ka lidhje të fortë personale me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me zv.ndihmës sekretaren e shtetit amerikan, Molly Montgomery.
Gjatë këtij takimi u vlerësua lartë mbështetja e SHBA-ve për Kosovën dhe partneriteti i shumëanshëm mes dy vendeve.
“Mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i shumanshëm, u vlerësuan lart nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me zëvendës ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit, Molly Montgomery”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera në njoftimin e qeverisë thuhet se Montgomery theksoi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.
Kurti tha se kjo ndihmë ishte obligim humanitar yni dhe se ne duam t’i qëndrojmë në krah ShBA-ve, aleatit tonë strategjik.
“Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë”, thuhet në njoftim.
“Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke”, tha ai.