Fotolajm! Nga 12 miliard lekë në 7, si ministrja e financave modifikon shifrat në bujqësi

Ditën e djeshme ministria e Financave, Delina Ibrahimi ka patur një takim me përfaqësues të industrisë së përpunimit të qumështit dhe eksportuesit e fruta-perimeve. Tema e këtij takimi ishte paketa fiskale e vitit 2022.
Disa ditë më parë doli lajmi se qumështi pluhur që importohet nga jashtë do të taksohet. Propozimi është bërë nga Ministria e Financave dhe është pjesë e paketës fiskale, ku do të ndryshohet ligji për taksat kombëtare. Sipas relacionit të projektligjit qumështi pluhur do të taksohet me qëllim që të nxitet prodhimi vendas.
Konkretisht është propozuar që taksa për importimin apo prodhimin e qumështit pluhur është 100 lekë për kilogram. Mesatarisht Shqipëria konsumon sipas financave 1 mijë tonë qumësht pluhur në vit të marrë nga importi.
Ky duket se ka qenë edhe qëllimi i këtij takimi të cilin vetë ministria Ibrahimi e ka publikuar në faqen e saj zyrtare në facebook.
Por si duket ministria i ka modifikuar shifrat në lekë pasi në postimin e parë ajo shkruan për herë të parë 12.7 miliardë lekë për, fermerët përmes skemave, rimbursimit të naftës, projektit të Garancisë së Kredisë për zonat rurale dhe Garancisë Sovrane.
Duket se ministria Ibrahimi u bë “pishman” dhe i modifikoi shifrat nga 12.7 miliardë lekë e bëri 7.1 miliardë lekë. Ky është edhe postimi i cili gjendet ende në faqen e ministres Delina Ibrahimi në facebook.
Kujtojmë se ditën e sotme u dha lajmi se fabrikat e përpunimit të qumështit nuk do të taksohen për qumështin pluhur. Qeveria është tërhequr nga propozimi për taksimin prej 100 lekë për kg për qumështin pluhur. Ky vendim erdhi pas kërkesave të industrisë së përpunimit të qumështit në vend.
Ministria Ibrahimi reflektoi ndryshimin në pikën 8 të nenit 4 të relacionit për “Taksat Kombëtare” ku theksohet se përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksën për hirrë qumështi dhe taksën për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Në propozimin e parë qeveria theksonte se taksimi i qumështit pluhur u bë për të dekurajuar importin e qumështit pluhur dhe për të favorizuar prodhimin e qumështit nga fermerët/Gazeta Shqip