Gjykata suedeze “zhvendoset” në Durrës! Ish-zyrtari iranian i akuzuar për krime kundër njerëzimit do të gjykohet në Shqipëri

Gjyqi i një zyrtari iraniani i akuzuar për krime kundër njerëzimit i cili po zhvillohet në Suedi do të zhvendoset në Shqipëri. Sipas The Times of Israel gjyqi do të zhvendoset nesër në Durrës për të dëgjuar dy javë dëshmi të dëshmitarëve.
Hamid Noury, 60 vjeç, ka qenë në gjyq në gjykatën e qarkut të Stokholmit që nga gushti për një sërë akuzash duke përfshirë vrasje, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, që datojnë nga 30 korriku deri më 16 gusht 1988, kur Noury ??dyshohet se ishte asistent i zëvendësprokurorit të Burgu Gohardasht në Karaj, afër Teheranit.
E gjithë gjykata e qarkut të Stokholmit po zhvendoset në Durrës, Shqipëri, me kërkesë të prokurorisë, për të dëgjuar dëshminë nga 10 deri më 18 nëntor nga shtatë dëshmitarë “të cilët nuk janë në gjendje të udhëtojnë në Suedi”, thotë nëpunësja e gjykatës Anna Wester për AFP.Të shtatë janë anëtarë të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), grupit të opozitës në mërgim, të cilët banojnë në një kamp pranë Durrësit.
Vetë Noury megjithatë do të qëndrojë në Stokholm, thotë Wester. Ai mbahet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2019, kur mbërriti në Suedi, ku ka familjarë.
Por si është historia?
Gjykimi i Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i burgut Gohardasht në Karaj (në perëndim të Teheranit), ka nisur më 10 gusht dhe vazhdon ende. Krimi për të cilin bëhet fjalë ka ndodhur në korrik 1988, kur 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta. Të gjitha viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive. Mbi 90 përqind e viktimave ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine. Regjimi iranian nuk e ka pranuar kurrë këtë masakër dhe autorët e saj kanë gëzuar pandëshkueshmëri totale gjatë gjithë këtyre viteve.
Ajo që e bën këtë gjykim edhe më domethënës është fakti se presidenti i ri i regjimit, Ebrahim Raisi, ishte një nga katër anëtarët e Komisionit të Vdekjes në Teheran në vitin 1988, dhe ka dërguar personalisht për varje mijëra të burgosur. Të gjithë udhëheqësit e regjimit iranian kanë qenë të përfshirë në masakrën e 1988-ës. Një numër juristësh të shquar e kanë përshkruar masakrën e 1988-ës si gjenocid dhe si një nga rastet më flagrante të krimit kundër njerëzimit që nga Lufta e Dytë Botërore. Raisi, në konferencën e tij të parë për shtyp pas zgjedhjes si president, e vlerësoi rolin e tij në këtë masakër./Gazeta Shqip