Gjoba edhe për këmbësorët që shkelin qarkullimin rrugor / Por policia s’i mbledh dot për shkak të adresave

Shefi i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit thotë se numri i lartë i gjobave që vendos policia është pasojë e shkeljeve të larta të rregullave të qarkullimit rrugor. Por, problematika që ngre ai nuk lidhet më shumë me drejtuesit e mjeteve se me këmbësorët.
Ai thotë se veç shoferëve, sinjalistika nuk respektohet as nga këmbësorët.
“Këmbësorët nuk e kanë fare idenë si qarkullohet në rrugë. Kanë trotuaret, kanë kalimin e rrugës nga njëra anë në tjetrën, janë vendkalimet e këmbësore. Kemi pasur aksidente rrugore që kanë ndodhur mbi vendkalimet këmbësore, që nuk kanë respektuar detyrimet ndaj njëri-tjetrit dhe këtu rregullat duhet të respektohen të gjithë. Kaq shumë shkelje tregon se nuk respektohen rregullat e qarkullimit nga mjetet dhe nga këmbësorët”, tha Drejtori i Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili në një intervistë për Report TV.
Ismaili u shpreh se policia ka nisur edhe gjobitjen e këmbësorëve, por e ka të vështirë që të mbledhë këto gjoba për shkak të mungesës së adresave të sakta.
“Ka filluar edhe ndëshkimi i qytetarëve, sepse është pak i vështirë për dërgimin e gjobës në adresa të duhura si rezultat i mos pasjes së një adrese të qartë, i qytetarëve nuk mbajnë me vete karta identiteti”, tha Ismaili.
Po në këtë deklaratë, Skënder Ismaili u shpreh se 85 për qind e ngjarjeve rrugore lidhen me mosrespektimin e sinjalistikës nga ana e drejtuesve të mjeteve.