Protestë në Beograd kundër muralit kushtuar kriminelit Mlladiq

Disa organizata joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë protestuan të shtunën, më 13 nëntor në Beograd, duke kërkuar heqjen e një murali kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, që është vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.
Protesta “Murali duhet të rrëzohet”, që u mbajt disa qindra metra larg nga murali kushtuar Mlladiqit, është një prej shumë tubimesh që qytetarët dhe OJQ-të kanë organizuar, pasi policia pengoi aktivistët që dëshironin të ngjyrosin mbi muralin në Ditën Ndërkombëtare Kundër Fashizmit, më 9 nëntor.
Organizatorët e protestës thanë se është koha që shteti i Serbisë të ndalojë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, për të cilin Ratko Mlladiq, si gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërspka, u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë. Protestuesit po ashtu kërkuan që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj krimeve të luftës, “t’u ngrehë monumente viktimave, jo kriminelëve”.