Yuri Kim-Sali Berisha, 6 muaj përplasje

Nga Roland Qafoku

Nuk ka ndodhur asnjëherë që një politikan shqiptar të ketë patur një përplasje kaq të fortë, kaq direkte dhe kaq me pasoja, sa ka patur dhe ka Sali Berisha me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

E quanim dikur të fortë përplasjen po të Sali Berishës me ambasadoren Marisa Lino kur i iu drejtua në një pritje pas ngjarjeve të rënda të 14 shtatorit 1998: “Zonja Lino, ju jeni e njëanshme”! Por kjo deklaratë ngjan pupël në krahasim me përplasjen me ambasadoren aktuale Yuri Kim. Një përplasje që është shndërruar në temën kryesore të politikës që kondicionon madje edhe zhvillimet në politikën shqiptare, veçanërisht në Partinë Demokratike.

Në fakt gjithçka erdhi pas vendimit të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, më 19 maj 2021 për shpalljen non grata ndaj Sali Berishës. Berisha jo vetëm që reagoi duke paditur për shpifje në gjykatën e Parisit Blinken, por arriti të lëshojë një bateri sulmesh ndaj ambasadores Kim. Janë të shumta rastet që nga ky vendim që diplomatja amerikane ka vijuar po në këtë linjë duke hedhur deklarata të forta ndaj Berishës. Shprehje si “PD do hajë bar nëse nuk përjashton Berishën”, “PD të zgjedhë të ardhmen në vend të së kaluarës”, apo “SHBA ndërpret marrëdhëniet me PD nëse kryetar i saj do jetë Berisha”, janë të barasvlefshme me një knock out ndaj Berishës. Por nisja e akisonit politik “Foltorja” e ngrohën atë për nga pjesmarrja dhe mbështetja që mori.

Dhe reagimet e Berishës nga aty kanë qenë në gjuhë të ashpër. Shprehjet e dala nga goja e tij: “Barin t’ia japë Edi Ramës”, “Kim le të pijë kafe në livadhet e qeverisë”, “Ambasadorja sillet si guvernatore”, kanë sjellë vërtetë një raport të nderë dhe ekstrem mes Sali Berishës dhe linjës zyrtare të SHBA. Po publikojmë në mënyrë të përmbledhur 10 deklakaratat të bëra publike që nga 19 maji kur Berisha u shpall non grata deri më sot nga ana e ambasadores Kim ndaj Sali Berishës dhe të Berishës ndaj Kim për të kuptuar se si kanë evoluar përplasja mes tyre.

Janë gjashtë muaj të një beteje që kanë ndarë shumë njerëz në dy grupe: Një pjesë që janë të bindur që SHBA ka të drejtë dhe Berisha do dalë nga skena politike me damkën antiamerikane dhe një pjesë që mendojnë se Berisha jo vetëm ka të drejtë por do vijë një ditë që SHBA do tërhiqet nga sulmet ndaj tij. Kush do fitojë? Në këto 31 vjet rregulli ka qenë që asnjë politikan shqiptar nuk ka fituar ndonjë betejë me SHBA dhe se asnjë politikan nuk ka ardhur në pushtet pas mbështetjen e SHBA. Këtë madje e di mirë edhe vetë Berisha. Nuk është i largët viti 2005 kur PD u kthye në pushtet sigurisht me bekimin e SHBA. Për një pjesë të këtyre deklaratave komentet janë të pavlera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT