Xhafaj thirrje prokurorëve të SPAK: Jeni njerëzit më të paguar në Shqipëri, luftoni krimin në nivele TË LARTA!

Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm dhe deputet i PS, ka vlerësuar rritjen e buxhetit të vitit 2022 për institucionet e drejtësisë dhe veçanërisht SPAK. Sipas tij, prokurorët e Prokurorisë Speciale janë sot njerëzit më të paguar në Shqipëri.
Deputeti socialist ka kërkuar luftë në nivele të larta.
“Njerëzit e drejtësisë janë sot njerëzit më të paguar në vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi. Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë më shumë përgjegjshmëri transparencë, luftë kundër krimit të organizuar dhe pandshkueshmërinë në nivele të larta, mbështetjen e buxhetit e keni”, u shpreh ai ndër të tjera.
Pjesë nga deklarata e Fatmir Xhafaj:
Lajm shumë i mirë rritja e ndjeshme buxhetit të SPAK. Le të shpresojmë të shohim rezultate më të mira, se ato që kemi parë deri tani në drejtësi. Buxhetimi për institucionet e drejtësisë nuk mund të jetë i ngjashëm me institucionet në varësi të ekzekutivit. E papranueshme që kur kanë kaluar 2 vite që nga fillimi punës së SPAK, flitet për mungesë zyrash për prokurorët dhe hetuesit e BKH-së. Ende nuk ka një përllogaritje në buxhet me ndryshimin e hartës gjyqësore.
Nuk ka asnjë angazhim për rritjen e studentëve në shkollën e magjistraturës. Mjediset aktuale në Gjykatën e Lartë janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk po gjenden fonde për ndërtimin e një gjykate të re.
Nuk duhet të mos shohim edhe anën tjetër, përgjegjshmërinë e vet institucioneve për buxhetin. Besoj se para së gjithash duhet të ndryshojë politikbërja për menaxhimin e buxhetit të këtyre institucioneve. Njerëzit e drejtësisë janë sot njerëzit më të paguar në vend. Nuk janë dhuratë e askujt, janë investim nga taksat e qytetarëve të këtij vendi. Kërkojmë nga institucionet e drejtësisë më shumë përgjegjshmëri transparencë, luftë kundër krimit të organizuar dhe pandshkueshmërinë në nivele të larta, mbështetjen e buxhetit e keni.