“Si i dhashë fitoren Bashës në Tiranë”/ Berisha: Ja si Ambasada Amerikane u shqetësua në 2011-n

Sali Berisha iu përgjigj deklaratave të Lulzim Bashës, që tha se fitoi Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 2011 përballë Edi Ramës sepse përjashtoi nga fushata Sali Berishën.
Berisha tregoi nga foltorja e Fushë-Krujës se si vendosi që të numërohen fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, manovër që i dha fitoren Lulzim Bashës.
“U mbyllën numërimet, Edi Rama doli me 10 vota para. Më njoftojnë zyrtarët tanë se në kutitë e votimit janë vota të keqvendosura. Këto quhen në Kodin Zgjedhor të Venecias si vota të vlefshme. Vota e hedhur gabim në një kuti quhet e vlefshme. Unë kërkoj që ato të numërohen. Fillon numërimi i tyre”, tha ai.
Berisha zbuloi se numërimi i këtyre votave ka shkaktuar shqetësim te Ambasada Amerikane.
“Tani vjen pjesa interesante. Të nesërmen kishim një këshilltar amerikan në fushatë, shumë i mirë, më troket dhe më thotë se te Rruga e Elbasanit ka një shqetësim për këtë që po bëjmë. Druhem shumë se do bëjnë deklaratë, më thotë. Miku im, i them unë, po numërohet çdo votë në përputhje me dy kodet më të rëndësishme zgjedhore në botë. Këto janë legjitime, por nëse duan ata të ambasadës, janë të ftuar të prekin dhe të shohin çdo votë. Votë kujt nuk i marr, por votë nuk i fal njeriu”, vijoi ai.