“Ka edhe gjykata europiane”/ Nuk ndalet Meta, paralajmëron: Zgjedhjet e 2019-s do t’i çoj në Strasburg

Presidenti Ilir Meta mund t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që cilësoi si të vlefshme zgjedhjet lokale të 2019-s.
“Ne do t’i presim me shumë vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do t’i studiojmë dhe do të bëjmë veprimet më të mira në interes të respektimit të Kushtetutës edhe të të drejtave të njeriut, sepse sigurisht që ka Gjykatë Kushtetuese, por padyshim që nuk ka vetëm Gjykatë Kushtetuese. Ka edhe Gjykatë Evropiane që mbron të drejtat e njeriut dhe Shqipëria tani është pjesë e një sistemi të tillë”, tha Presidenti Meta në një intervistë për Ora News.
Lidhur me zgjedhjet e 25 prillit, Meta ndan mendimin e Bashës dhe flet për “masakër elektorale”. Për këtë arsye, tha Presidenti, nuk i qëndroi bastit të vënë më 1 mars se do të dorëhiqej nëse Edi Rama fitonte 71 mandate.
“Në qoftë se do t’i merrte zgjedhjet në mënyrë të ndershme. Pas masakrës elektorale siç tha Kryetari i Partisë Demokratike dhe shqetësime të tjera të ngritura nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe skandalit të patronazhistëve dhe shumë skandaleve të tjera, kuptohet që Presidenti nuk ka pasur asnjë arsye që të japë dorëheqjen. Dhe sigurisht që Presidenti do ta përmbushë misionin e tij deri në fund. Deri më 24 korrik 2022 Presidenti do të respektojë detyrën, do të respektojë institucionet, do të respektojë Kushtetutën!”, tha ai.