E FUNDIT/ Shqipëria blen me sukses 650 mln euro Eurobond në bursën e Londrës, me interes 3.75 % dhe maturim 10 vjecar

Qeveria njoftoi emëtimin e Eurobondit prej 650 milionë eurosh, me kupon prej 3.5 për qind, interes 3.75 për qind dhe afat maturimi 10-vjeçar.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Qeveria thotë se eurobondi “rikonfirmon besimin e investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare, emeton me sukses Eurobondin e ri 10-vjecar. Ditën e sotme Republika e Shqipërisë doli në tregjet ndërkombëtare financiare me një obligacion ndërkombëtar të ri 10-vjeçar në vlerën prej 650 milion € me një kupon prej 3.50% me interes 3.75%”, thuhet në deklaratë.
Sipas Qeverisë, “investitorët treguan besim duke shprehur interes në oferat që kaluan 1.8 herë vlerën e kërkuar. Ky ishte një test real për ekonominë shqiptare, që rikonfirmon besimin e tregjeve në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare edhe në kohë të vështira, pas goditjes së tërmetit dhe pandemisë”.
Transaksioni shënon rikthimin e suksesshëm të Republikës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke pasuar emetimet e mëparshme të realizuara në 2015 dhe 2018, 2020, ku u arrit financimi me po të njëjtin kupon si në 2020, 3.5 për qind, por këtë herë me një afat maturimi 10-vjeçar.