Pas ultimatumit/ Leli i bindet Ramës, mbledh vetë qeset me plehra në “Pyllin e Sodës” dhe në Vlorë

Kryeministri Edi Rama sa herë që i është mundësia për të kritikuar, aty ku edhe duhet, të zgjedhurit vendorë, nuk ka ngurruar të fusë në tabelën e qitjes së tij, kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Lelin.
Në memorien e shqiptarëve do të mbetet skena kur Rama pastron vetë plehrat e hedhura në minifushën e sportit në Vlorë, duke kritikuar ashpër Lelin.
“Vetëm 3 minuta e ndajnë turpin nga dinjiteti më i zakonshëm që duhet të ketë një qytet një komunitet, por edhe një bashki. Ato që vijnë dhe luajnë këtu bëjnë mirë, ti mbledhin dhe të mos i hedhin. Ato që i mirëmbajnë duhet t’i pastrojnë përpara se të lindi dielli dhe njerëzit, shqiptarë, të huaj, që kalojnë anash dhe të mos shikojnë këtë pamje që është një turp”, shkruante Rama në videon e postuar në korrik të 2021. Më pas Rama do të kritikonte ashpër kryebashkiakët për mungesën e fondeve në mbledhjen e mbetjeve, duke i paralajmëruar se do t’i gjobiste ato dhe nuk të përcaktonin buxhet më vete për pastrimin e mbeturinave.
Ndërsa në nëntor, Rama shkoi vetë në fushatën e mbledhjes së mbeturinave në pyllin e Sodës në Vlorë. Në fund të fjalës së tij ku paralajmëroi sanksione për kryetarët e bashkive për menaxhimin e kësaj situate, Rama ka “përveshur mëngët”, duke u ulur vetë me qese në dorë për të mbledhur mbeturinat.
Këto qëndrime kanë bërë që Leli të zbatojë ultimatumin e Ramës, duke nisur procesin e mbledhjes së mbeturinave në zonën e pyllit të Sodës, apo të vendosjes së kazanëve të mbeturinave në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës.
“Ka nisur që në mëngjes pastrimi i territorit dhe vendosja e 5 koshave të tjerë, prej 200 të rinjve që do të shpërndahen në qytet. U ndalëm në një tjetër pikë problematike, atë të Ujit të Ftohtë, ku marketet dhe restorantet nuk u kanë lënë radhë banorëve e turistëve të shumtë të zonës. Katrahura duhet të marrë fund këtu, njësoj siç duhet të marrë fund në çdo pikë të koshave të mbeturinave, në qytet dhe jashtë tij. #çdoditëpërvlorën”, shkruan Leli në rrjetet sociale.
Ndërsa në një postim tjetër shkruan se “Ka vijuar vendosja e koshave të rinj në një pikë të ngarkuar të hapësirave mes pallateve, në Lungomare, kryesisht gjatë verës. Sezonin e ardhshëm nuk duhet të përsëriten më skenat e shëmtuara të mbeturinave në tokë prandaj jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund këtij aksioni”.
Duket se Leli për të zbutur konfliktet me Ramën, të ndezura ashpër që prej refuzimit që kryebashkiaku i bëri kryesocialistit për t’u bërë deputet. Ai po kërkon të japë një imazh të ri përpara votuesve socialistë të qytetit bregdetar, se nuk është ky fajtori i këtij konflikti.