Dritan Leli i shkoi në takim, Ramës nuk i del inati: 30 vjet, nuk vajti këmbë njeriu nga Bashkia e Vlorës të pastronte Pyllin e Sodës

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot në Durrës kryebashkiakët e vendit, për situatën me pastrimin e territorit. E pranishme ishte dhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli. Një shfaqe surprizë kjo e kryetarit të Vlorës në takimin e Ramës.
Por edhe pse Leli duket se i ka lënë pas “qejfmbetjet” me kryeministrin, këtij të fundit nuk i ka dalë ende inati. Na takimin e sotëm ai ka ironizuar Bashkinë e Vlorës, duke u shprehur se në Pyllin e Sodës kishte 30 vjet që nuk kishte shkelur këmbë njeriu për ta pastruar.
“Një muaj tek Pylli i Sodës e vijon pastrimi. Nuk kanë të mbaruar plehrat. Plehrat në Pyllin e Sodës kanë 30 vjet. Jemi duke pastruar një territor ku hedhja e plehrave është kthyer në fenomen arkeologjik. 30 vjet nuk ka shkuar këmbë njeriu nga bashkia e Vlorës të pastrojë Pyllin e Sodës.
Është më e tmerrshme se, sa më thellë të futesh në pyll aq më shumë ndeshesh me plehrat. Që do të thotë që edhe kur kanë bërë sikur kanë shkuar i kanë marrë plehrat e shtyrë më thellë. Ky është një moment që duhet ta kthejmë në një moment oportuniteti. Është e paimagjinueshme. Prandaj të bashkojmë forcat. Të gjithë duhet të bëjmë çmos që në radhë të parë secili të bëjë të vetën. Sepse kusurin më të madh e kanë këtu individët që e bëjnë të pamundur”, u shpreh Rama ndër të tjera.