Si Enver Hoxha arriti të mbajë peng për 15 vjet me dhjetëra grekë dhe krerë bagëti!

Aranit Muraçi

Ka shumë paqartësi rreth rolit që luajti Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore, marrëdhënia e saj me Jugosllavinë, si dhe ndikimit që pati shteti i sapokrijuar komunist shqiptar në përfundim të luftës civile greke.

Edhe pse historia jonë e shekullit të fundit i ka ende gjallë dëshmitarët, fatkeqësisht ajo ndryshoi edhe datën e çlirimit duke u bazuar mbi shije dhe teke të caktuara dhe jo mbi fakte, nga profesionistë të fushës.

Historinë e shkruajnë fitimtarët –  është një shprehje e njohur sot gjerësisht në botë – prandaj në këto ditë të fundit të nëntorit teksa pritet festa e 77-vjetorit të Çlirimit, nëse humbësit as nuk e bëjnë dhe as nuk e shkruajnë dot historinë, nuk është e drejtë që ata të baltosin luftën deri në atë pikë sa ajo të injorohet dhe të mos i njihet asnjë meritë.

Rusia i kujton shpesh pjesës tjetër të botës nëpër qarqet diplomatike, se ajo e pagoi shumë më shtrenjtë luftën e saj çlirimtare ndaj fashizmit, luftë që i shkaktoi mbi 20 milion të vrarë, për një botë më të lirë dhe më të paqtë, pavarësisht se ajo dhe vendet e tjera e kanë rrëzuar komunizmin, por e pranojnë udhëheqjen prej tyre gjatë luftës.

Nëse s’do të kishin luftuar partizanët ndaj fashizmit sot bota me siguri do të kishte ngjyrat, gjuhën dhe simbolet e Hitlerit.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, partizanët dhe komunistët në Shqipëri, të vetmit që u organizuan, bënë rezistencë dhe luftuan ndaj fashizmit, ishin shumë më të fuqishëm se çdo pretendent tjetër, me ambicje për t’iu marrë pushtetin dhe ky është një fakt që e njohin kundërshtarët e tyre, e njeh edhe bota.

E ngjashme, sigurisht jo në përmasa, ishte situata dhe marrja e pushtetit nga Stalini pas luftës në Rusi dhe Bashkimin Sovjetik, në një linjë me të cilin qëndroi Shqipëria për 2 dekada.

Duke e ndarë luftën nga brutaliteti politik i regjimit, përsa i përket historisë ajo nuk mund interpretohet dhe të ndryshojë qëndrim në bazë të shijeve të çdo amatori dhe qeveritari sa herë që ai vjen dhe shkon.

Dy mund të jenë pyetjet për luftën?

Enver Hoxha e shiti apo e mbrojti dhe e forcoi Shqipërinë, si dhe interesin e saj kombëtar gjatë drejtimit të luftës dhe pas saj?

Cili ishte qëndrimi i tij në raport me ndikimet e vendeve të tjera, të interesuara për të dobësuar Shqipërinë?

Dy raportime rreth luftës Civile Greke dëshmojnë përplasjet ushtarake dhe konfrontimet e ashpra që zhvilloheshin në ato vite. Shqipëria për herë të parë pas Pavarësisë dhe luftës së Vlorës mbronte me armë territoret e saj.

Në vitin 1949, ka dëshmi që pretendojnë se Mehmet Shehu në drejtim të ushtrisë shqiptare u fut dhe shkoi deri në Follorinë, duke marrë peng në shenjë hakmarrje, fshatarë dhe barinj.

Plot 15 vjet më vonë mediat e huaja kanë raportuar për kthimin e disa pengjeve greke, përfshirë njerëz dhe bagëti. Qeveria greke arriti të gjente një kompromis me regjimin e Hoxhës, me ndërmjetësimin e Kamboxhias, një vend komunist aziatik me të cilin kishte marrëdhënie diplomatike, si Shqipëria, ashtu edhe Greqia. Ishte koha kur Shqipëria ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe kishte dalë në mënyrë të njëanshme nga Traktati i Varshavës.

Bëhet fjalë për dorëzimin në Greqi më 10 gusht 1964 të pengjeve greke që kishte marrë Shqipëria. Artikulli i agjencisë (AP) i publikuar nga mediat e njohura ndërkombëtare, përfshirë  New York Times, ndër të tjera nënvizon:

“Shqipëria ktheu sot në Greqi 72 refugjatë të marrë peng në vitin 1949 nga guerrilat komunistë. Të riatdhesuarit – kryesisht fermerë dhe barinj – dhe familjet e tyre iu dorëzuan autoriteteve greke në fshatin kufitar, Karavia. Shqiptarët kanë kthyer edhe 120 krerë bagëti. Ata u vendosën në zonat rurale të Greqisë.”

Materiali i Wikipedia në anglisht mbi përfshirjen e Shqipërisë në luftën civile greke:.

“Ushtria Kombëtare Greke, e ndihmuar  ndërkombëtarisht nga Perëndëmi luftoi kundër forcave komuniste gjatë Luftës Civile Greke.

Ndihma jugosllave për komunistët grekë mori fund në shkurt 1949, pas ndarjes Tito-Stalin. Ushtria Kombëtare pas kësaj nisi një sulm të armatosur ndaj bazave të mbetura të komunistëve, të cilët strehoheshin në kufi me Shqipërinë.

Pesë ditë luftime i kushtuan Ushtrisë 256 viktima. 1182 komunistë u vranë në aksion dhe mbi 1000 të plagosur u evakuuan përtej kufirit shqiptar.

Më 25 gusht, pas një sulmi masiv të Ushtrisë Kombëtare me avionë dhe artileri, qeveria shqiptare e Enver Hoxhës ndërpreu ndihmën ndaj forcave komuniste greke dhe çarmatosi komunistët grekë në territorin e saj.

Operacioni përfundoi në orën 10 të mëngjesit të 30 gushtit. Komunistët grekë u dorëzuan zyrtarisht në mes të tetorit, duke i dhënë fund Luftës Civile Greke”.

Pra, nëse në Greqi demokracia u fitua me armë dhe me luftë atëherë kur duhej të luftohej, ndodhi e njëjta gjë nga komunistët në Shqipëri. Ata që e prisnin dikur pushtetin në tavolinë, ndoshta u duhej të luftonin gjatë dhe pas lufte sikurse vepruan grekët. Për të marrë pushtetin, në vend të armëve dhe në ndryshim nga komunistët, sot prej tyre në një shtet demokratik nuk kërkohet revolucion dhe as terror, por ide dhe alternativa më të mira.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT