“Do të më varin në Washington apo Bruksel”? Vuçiç ironizon deklaratën e Kurtit për “bashkim me Shqipërinë”

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar për deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili tha të shtunën se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum paqësor e demokratik.
“Unë as që kam reaguar. E lamë një ditë dhe më pas reagoi Ana (Bërnabiç)… Këtu nuk bëhet fjalë për një ambasador, por për të ashtuquajturin kryeministër që kërcënon me bashkimin me Shqipërinë”, tha Vuçiç.
“A do të më varnin në Washington apo në Bruksel?”, tha Vuçiçi me ironi, ndërsa kritikoi raportuesen Viola Cramon se përse nuk reagon për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti.
“Idetë për Shqipërinë e Madhe nuk shkaktojnë shqetësim në BE… Viola von Cramon mendon se mund t’iu “shesë mend” të gjithëve dhe flet për gjithçka që po ndodh në Serbi. Edhe pse është e ngarkuar për Kosovën, nuk i ka shkuar ndërmend t’i kritikojë deklaratat e Albin Kurtit, kur është fjala për hegjemoninë shqiptaromadhe, kjo është e zakonshme për ta… Ky është vetëm fillimi, ne do të kemi edhe shumë probleme… Çfarëdo që të bëjë Serbia, nga vetëmbrojtja politike, ata kurrë nuk do të jenë të lumtur”, ka thënë Vuçiç.
Kujtojmë se Albin Kurti tha të shtunën për revistën britanike “Monocle” se do të votonte pro në një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke shtuar se referendumi do të duhej të bëhej në mënyrë paqësore e demokratike.