Izet Haxhia “zbërthehet” në Gjykatë për vrasjen e Azem Hajdarit: Para se të vritej ishte në takim me Berishën! I thanë se jashtë PD ishte një makinë me tritol

Izet Haxhia ka dëshmuar ditën e sotme në Gjykatë në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit, për të cilën është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet se ka qenë ai që e ka nxjerrë në pritë themeluesin e Partisë Demokratike.
Ai tha se nuk e nxori në pritë Azem Hajdarin, teksa tregoi se përpara se të vritej, Hajdari ishte në zyrën e Sali Berishës, kur e lajmëruan se jashtë PD-së ishte një mjet i mbushur me tritol. Në momentin që ka dalë,Azem Hajdari ka trokitur në xhamin e mjetit, ku shofer ishte Jaho Mulosmani, me këtë të fundit që nuk ka qëlluar.
Sipas tij, ishte Fatmir Haklaj ai që qëlloi dhe vrau Azem Hajdarin. Haxhia thotë se në momentin e vrasjes ka qenë me Halil Haklajn, vëllain e Fatmirit, ndërsa shton se vrasja e Hajdarit u bë për të rrëzuar nga pushteti Fatos Nanon.
“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin.”, tha Haxhia.