Dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, Rama: Tragjeditë sprovojnë njerëzit, sot jemi ngritur më të fortë

Kanë kaluar dy vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, ku për pasojë humbën jetën 51 qytetarë dhe mbi 1000 të tjerë u plagosën.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka kujtuar këtë moment të trishtë për vendin përmes një statusi në rrjetet sociale, duke u shprehur se tragjeditë i sprovojnë popujt dhe shtetit.
Kreu i qeverisë shton më tej se sot mund të themi pa droje se jemi ngritur më të fortë.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
MIRËMËNGJES
Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur.