“Nuk e di pse më vranë, ama nuk e di nëse a e di edhe ai pse më vrau”

Me shumë mundësi, ata nxënës po ktheheshin në shtëpitë e tyre, gjithë gëzim me mendjen se përpara kanë dy ditë pushimi, çlodhjeje. Ama, në asnjë moment s’do i kishte shkuar në mendje që ky kthim rutinë i tyre në shtëpi, do të ishte i fundit.
Nuk mundën as të takonin të paktën për herë të fundit familjarët e tyre. Të afërm e miq, akoma nuk e besojnë dot që një ngjarje gati a pakuptimtë, ende e pazgjidhur nga policia e Kosovës, i dha fund jetës së dy të rinjve në Pejë.
Autoritetet thonë se me gjasë objektivi i autorit të maskuar gjendej brenda autobusit, por përmasat e ngjarjes, me shumë mundësi jashtë parashikimit, morën trajtën e një sulmi terrorist.
Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj, njëri 16 dhe tjetra 17 vjeç, janë dy viktimat e reja që ndoshta as nuk e dinë e dinë nga u erdhi dhe se si u larguan kështu papritur nga jeta.
Me siguri shumë ëndrra të lëna përgjysmë e shpirtra të shkatërruar familjarësh la kjo ngjarje e rëndë në fshatin e vogël Gllogjan të Kosovës.
“O zot, nuk mundem as të besoj as të imagjinoj që kjo ndodhi sot, vajza e dajës tim Florim, vajza e dajës tim i cili me plagë lufte në trup e tash me plagë të përjetshme në zemër, dajës tim që në liriiiii, për të cilën dha pjesë të tij ti ndodhë kjo plotësisht e shokuar”, shkruan kushërira e Gentës.
“Ka qenë 17-vjeçare shkonte shkollën e mjekësisë dhe ka qenë duke u kthyer nga shkolla. Ka qenë orari i shkollës dhe ky ka qenë orari që u kthy çdo ditë me linjë të autobusit, sikurse e kanë gjithë nxënësit. Familjarët janë të shokuar, dhe është një gjendje shumë e rëndë në familje. Ajo asnjëherë nuk ka folur për ndonjë telash për tek linja e autobusit. Dëshira e saj ka qenë të jetë një doktoreshë në të ardhmen,” tha ajo.
Samedin Mehmeti, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se hetimet nga autoritetet lidhur me vrasjet në Deçan, janë përqendruar në tre pista kryesore, pa dhënë detaje se cilat ishin ato.
Gazeta Shqip