Kurti përshëndet vendimin e SHBA: Legjitimoi aksionet e policisë së Kosovës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përshëndetur vendimin e SHBA që vendosi sanksione ndaj Zvonko Veselinoviç, si kreun e një grupi të strukturuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.
Kurti thotë se Veselinoviç është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë. “Ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, tha ai.
Sipas tij, vendimi i SHBA legjitimon veprimet dhe aksionet e policisë së Kosovës në këtë zonë. Ai thotë se krimi i organizuar nuk ka etni dhe nuk njeh kufij.
“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë. Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare”, shkruan Kurti.