“Gaz Bardhi na ktheu buzëqeshjen…”/ Klevis Balliu zbulon se çfarë ndodh nesër: Nga ardhja e delegatëve, tek shkarkimi i Bashës

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu thotë se mbi 5 mijë delegatë do t’i bashkohën nesër Kuvendit të PD të thirrur nga Sali Berisha.
Balliu deklaroi në emisionin “Politiko” në Top News se gjithçka do të jetë transparente, pasi delegatët janë të pajisur me një kod, i cili skanohet.
Sipas ish-deputetit, Kuvendi do finalizohet me shkarkimin e Lulzim Bashës.
“Gjerat po shkojnë në mënyrë të shkëlqyer. Nesër është ditë historike. Kemi një Kuvend të thirrur nga baza, nga ata që luftojnë në frontin e parë. Mbi 5 mijë delegatë do të jenë të pranishëm. Do të ketë transparencë të plotë. Çdo delegat është i pajisur me një kod, i cili skanohet. Lista është në një server, që del në një ekran që do shihet të gjithë. Të dhënat e çdo delegate do të jenë publike. Do publikohet edhe numri i kartës së identitetit. Gjithçka do të shihet në një ekran të madh.
Për shkarkimin e Lulzim Bashës do të bëhet votim i fshehtë. Nesër rithemelohet PD”, tha Balliu.
Por si është e mundur që dy kampet kanë deklaruar në total pjesëmarrjen e 10 mijë delegatëve, kur në fakt nuk janë as 8 mijë.
Sipas Klevis Balliut Gazment Bardhi ka abuzuar me emrat.
“Gaz Bardhi na shtensionoi pak. E falenderoj. Na ktheu buzëqeshjen. Në vetëm 20 minuta pasi ai lexoi emrin, të paktën 20 persona reaguan duke e përgënjeshtruar. Këto janë lojëra”, tha Klevis Balliu./Gazeta SHQIP