Aziatikë dhe profile të rremë, ndjekin Lulzim Bashën live në facebook

Kryedemokrati Lulzim Basha sfidoi sot Kuvendin e thirrur nga Berisha duke dalë përpara selisë së PD-së dhe inauguruar memorialin me rastin e 31-vjetorit të themelimit të partitë opozitare të pas viteve 1990.
Në këtë ceremoni të zhvilluar Basha ka futur aktivitetin live në rrjetet sociale, por nga ajo që është vënë re, shumë prej atyre që i bënin like (pëlqej) në facebook ishin profile fake (false) dhe mbi të gjitha rezultonin se ishin shtetas aziatik. Diçka e çuditshme, pasi këta shtetas nuk kanë lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike.
Normalisht këto profile dalin kur sponsorizohen evente të tilla në rrjetet sociale. Në këtë dalje, Basha u shpreh se e feston këtë përvjetor të përçarë, e për këtë fajtori është Berisha.
“Çdo përpjekje për të ndaluar në këtë rrugë, për të na tërhequr anash nga përballja frontale me rrezikun që paraqet regjimi grabitqar i lindur nga masakra e 25 prilli, është dhe duhet të jetë e shkuara”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.
Më tej ai u shpreh se “11 dhjetori i sotëm është ditëlindje e thyer për shkak të shkelmimit të një vlerë. Vendosjes së interesit personal mbi atë të PD dhe shqiptarëve dhe Shqipërisë. Por, e dimë që jo çdo ditëlindje shkon ashtu siç e duam. Por ne mësojmë dhe ecim përpara me zemrën e hapur për këdo që ka gabuar dhe që ka motive të pastra, me vendosmërinë për t’i thënë kujto jashtë radhëve tona politike, nga ata që e duan PD të përçarë. S’do ia dilni. Ne jemi të bashkuar, do ia dalim. Fitore Partisë Demokratike, fitore Shqipërisë. Ju uroj demokratëve kudo ku janë, gëzuar 11 dhjetori, ditën e lindës së PD. Zoti bekoftë demokratë dhe Shqipërinë”./ Gazeta Shqip