Nuk ndalet çmenduria e ministrit serb/ Pas mohimit të masakrës e quan vr*sës William Walker-in

Ministri serb Aleksandar Vulin nuk ndalet në çmendurinë e tij. Pas mohimit të masakrës së Raçakut, ai ka sulmuar William Walker, ambasadorin amerikan që kishte vetëdijesuar botën me gjenocidin që po ndodhte në Kosovë. Diplomati i lartë e kishte parë nga afër çfarë kishte ngjarë në Reçaku.
Vulin i është kthyer tash atij, duke e akuzuar për “gënjeshtar” dhe “fajtor për vdekje e vuajtje të panumërta”.
Vulin gjithashtu ka vazhduar duke përdorur termin ofendues “shqiptari”, kur ka folur për shqiptarët në Kosovë.
“Lobisti zyrtar i shqiptarëve të cilit shqiptarët edhe ia ngritën një monument edhe një herë i është kthyer gënjeshtrës për Reçakun dhe ka arsyetuar gjakun e fëmijëve të vrarë nga agresioni i NATO-s. Edhe një herë do të gënjejë për Reçakun si masakër e civilëve”, ka thënë Vulin.
Ai, sipas REL, ka reaguar më 11 dhjetor ndaj kritikave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së lidhur me deklaratat e tij për masakrën e Reçakut në Kosovë.
Vullin tha se “asgjë nuk mund të bëhet që e vërteta për Reçakun të mos bëhet e dukshme dhe e dëshmuar”.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja më 10 dhjetor dënuan mohimin e masakrës ndaj popullatës civile shqiptare në Reçak në vitin 1999, duke thënë se ky krim është ‘i dëshmuar’.
Forcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.
Kjo masakër paraqiti momentin kryesor në vendimin e NATO-s që të nisë intervenimin ajror ushtarak ndaj asokohe, Republikës Federale Serbe (SRJ), për shkak të luftës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja reaguan ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Vullin i cili përshkroi më 10 dhjetor masakrën në Reçak si ‘gënjeshtër të madhe dhe fabrikim të jashtëzakonshëm”.
“Të mëdhenjtë po zemërohen me serbët të cilët nuk frikësohen të thonë të vërtetën, sidomos të vërtetën e cila tregon se sa të mëdhenjtë ishin të vegjël para popullit tonë. Filmat nga Kosharja, Pashtriku, Reçaku i xhiruam që zemërimi i fuqive të mëdha dhe frika e disa serbëve të mos e vr*sin të vërtetën”, tha Vullin shkruan në njoftimin e Ministrisë së Brendshme serbe më 11 dhjetor.
Vullin përmendi që është krenar, siç tha, që “është pjesë e luftës për të vërtetën”.
“Jam i gatshëm që për këtë të paguaj çmimin edhe politik edhe personal. Koka ime është çmim i vogël për të drejtën e serbëve që për shkak të gënjeshtrave të të tjerëve të mos turpërohen para fëmijëve të vet”, tha Vullin.