Tifozat kuq e zi në mbështetje të Lirim Zendelit: Nuk mund të dorëzohet

Pak javë më parë piloti shqiptar Lirim Zendeli njoftoji se do të tërhiqej nga garat me makina për shkak të mungesë së sponsorëve. Një lajm i trishtueshëm ky jo vetëm për adhuruesit e Formulas por për të gjithë shqiptarët. Për herë të parë në kampionatin elitar mund të garonte një pilot kuq e zi, por për fat të keq ëndrra e tij u ndërpre.
Për të mbështetur Zendelin Tifozat kuq e zi kanë nisur një fushatë mbështetjeje
Ja thirrja e tyre
Lirim Zendeli nuk mund të dorëzohet!
Shqiptari i parë në majat e garave me makina. Synimi i radhës: Formula 1.
Të dashur sportdashës dhe bashkatdhetarë!
Të dashur sportistë, artistë dhe biznesmenë shqiptarë kudo ku ndodheni dhe veproni!
Kërkojmë bashkëpunimin tuaj për të bërë një ëndërr realitet!
Para disa javësh, përmes rrjeteve sociale ndeshëm në statusin e Lirim Zendelit, të riut shqiptar nga Shkupi Iliridës i cili deklaronte se ishte i detyruar të tërhiqet nga garimi në “FIA Formula 2”, për shkak të mungesës së mbështetjes së nevojshme financiare. Për shumë arsye kjo deklaratë e Lirimit na preku dhe nxiti këtë reagim tonin sot.
Misioni primar i Tifozave Kuq e Zi është mbështetja e sportit dhe sportistëve shqiptarë kudo ku ata veprojnë, përmes rritjes së imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, forcimit të ndjenjave të atdhedashurisë tek brezat e rinj e sidomos përmes promovimit të kulturës dhe traditave tona.
Në 18 vite aksion vullnetar kemi qenë vazhdimisht mbështetje të sportistëve nga pothuajse të gjitha fushat, kemi bashkëndarë suksese e sfida të shumta me ta, por edhe jemi përfshirë e kemi reaguar përmes aksioneve të ndryshme humanitare e sociale.
Edhe përballë realitetit të Lirimit, ne nuk mund të rrimë duarkryq! Nuk mund ta pranojmë kurrsesi që edhe ato pak talente që i kemi të shpërndarë nëpër botë, ta ndalin rrugëtimin drejt suksesit për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.
Prandaj, i bëjmë thirrje:
Çdo sportisti shqiptar që e di se sa mund e djersë duhet derdhur për të pasur qoftë edhe vetëm 1 mundësi!
Çdo artisti shqiptar që është i vetëdijshëm që shpeshherë vetëm talenti nuk mjafton!
Çdo bashkëatdhetari që ka sakrifikuar gjithçka dhe e ka provuar ndjenjën e të luftuarit dyfish për të arritur suksesin në vend të huaj!
Çdo biznesi shqiptar që dëshiron të kontribuojë në përkrahjen e talenteve shqiptarë!
Çdo institucioni shqiptar që krenohet me arritjet e të rinjve shqiptarë kudo në botë!
që të bëhemi bashkë SOT, për të mbështetur një KAMPION nesër!
Le ta ndihmojmë Lirimin që të kthehet në shembull për ata qindra e mijëra vajza e djem që punojnë me pasion e përkushtim për ti bërë ëndrrat e tyre realitet!
Le ta kthejmë Lirimin në pistën e garave! Është i vetmi vend që ai meriton!
Sëbashku më të fortë!
Tifozat Kuq e Zi
Lirimi 22 vjecar, lindur dhe rritur në Gjermani nga një familje shqiptare e cila për shkak të situatës politike dhe kushteve të rënda ekonomike u detyrua të emigrojë, është shqiptari i parë deri më sot që ka arritur majat në fushën e garave me makina.
Karriera e tij nis fillimisht si një “hobby” që në moshën 11 vjecare. Por shumë shpejt vihen re aftësitë e Lirimit dhe duke parë që potenciali e tij ishte gjithnjë e në rritje, sponsorë dhe profesionistë të fushës fillojnë të interesohen dhe ta mbështesin atë.
Janë të shumta kampionatet në Gjermani dhe ato internacionale të fituara nga Lirimi edhe pse, jo me kushte të barabarta me kundërshtarët e tij.
Që nga viti 2010 e deri para pak ditësh ka garuar në motorsport.
Ka qënë pjesmarrës në Kampionatin 2021 të “FIA Formula 2”, fitues i disa cmimeve dhe vazhdimisht në krye të pozicionimit gjatë sezonit 2019-2020 në “FIA Formula 3”, fitues i “ADAC Formula 4” në 2018 dhe shumë e shumë cmimeve të tjera përgjatë 11 viteve të ushtrimit të këtij sporti.