Berisha sulmon hapur ambasadoren Yuri Kim: Me ndërhyrjen e saj bëri që opozita të merrej peng nga qeveria

Vetëm një ditë pasi zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar në ambjentet e Air Albania, Sali Berisha vazhdoi sot me ‘Foltoren’ e tij, të zhvilluar online me mbështetësit shqiptarë në Florida.
Ish-kryeministri deklaroi se për Kuvendin e tij ka pasur një presion të pandershëm nga Lulzim Basha i asistuar edhe nga ambasadorja Yuri Kim.
Berisha tha se Kim është kataliste e gjendjes së krijuar dhe të marrjes peng të opozitës nga qeveria.
“Kreu i PD, vendosi në kundërshtim me çdo rregull, statutin, forumet, me kërkesë të Ambasadores Amerikane dhe DASH, të më pengojë të futem në parlament, por pasi dështoi më përjashtoi nga grupin. Yuri Kim me ndërhyrjet e saj është kataliste dhe në marrjen peng të Opozitës nga qeveria.
Më 19 u shpall një vendim ku thuhej se unë jam shpallur non-grata për korrupsion. Menjëherë i dërgoj një letër Antony Blinken dhe i them se ky është një akt lobimi i Ramës dhe Soros.
George Soros fillimisht u bë sponsor i shoqërisë civile në Shqipëri dhe unë e mirëprita këtë veprim të tij, por çfarë konstatova se gjithë rrjeti përbëhej nga individë dhe eksponentë të ekstremit të majtë. Ai u vendos nën ombrellën apo si levë e Partisë Socialiste. Me fondacionin e tij ndërmori reformën ne drejtësi në Shqipëri me qëllimin e tij për t’i dhënë Ramës një dorë”, tha Berisha.