“Cmimet rëndojnë në xhepat e qytetarëve…”, Braçe kritika qeverisë: Të marrë fund monopoli abuziv në tregje

Erjon Braçe është zëri i vetëm kritik brenda mazhorancës socialiste, edhe pse është pjesë e saj.
Ish-zv/kryeministri gjatë fjalës së tij në Kuvend e vuri theksin tek shtrenjtimi i produkteve bujqësore e blegtorale, ku sipas tij në treg ka një abuzim shumë të madh me çmimet që po dëmtojnë drejtpërdrejtë xhepat e qytetarëve por edhe bujqit.
Braçe tha se institucionet shqiptare duhet të marrin masa për të ndëshkuar ata që abuzojnë.
“Çmimet, përtej inflacionit që e ka kaluar targetin 3%, në treg ka abuzim të llahtarshëm me çmimet, abuzim që po ndodh sot në treg me çmimet veçanërisht me ato bujqësore dhe blegtoral, ka efekt, që mbi konsumatorin, po lë stok produktet e buqëve tanë. Patatja që sot në Divjakë shitet me 40 lekë, këtu matanë është me 80 lekë, lulelakra në Divjakë 1.5 lekë këtu shitet me 200 lekë, preshi që në Divjakë shitet me 2.5 lekë aty matanë është 50 lekë, karota sot në Divjakë me 40 lekë, atje matanë më 80 lekë. Ky është abuzim, përtej inflancionit, që po gërryen xhepat e qytetarëve, por që po i sjell dëm kolosal bujqve. Problem që duhet merret ministra e financave, tatimet, ministria e Bujqësisë për të kontrolluar dhe goditur abuzimet në tregje, fillojini nga tregu agro-ushqimor i Tiranës, monopol i pastër, një gjobë që nuk lejohet të zbatohet sepse ai pronari atje e ka aftësinë të sulmojë këdo dhe ti mbyllë gojën kujtdo”, tha Braçe.
Problemi i dytë, sipas Braçes janë investimet dhe përdorimi i parave publike. “Problemi i dytë është realizimi i investimeve publike, në momentin që shtojmë para të kemi një normë të realizimit të investimeve publike. Paratë janë në buxhetin e shtetit për tu shpërndarë qytetarëve qoftë si investime publike, qoftë si shërbime. E treta që kam, bujqësia në këtë buxhet merr 600 mln lekë shtesë. Bujqësia ka akoma më tepër nevojë për para publike, jemi ne si Kuvend që duhet ta vendosim. Sektorët e tjerë po marrin me miliarda, ndërsa bujqësia po merr miliona. Bujqësia është nën agresionin e çmimeve të imputeve bujqësore. Secili nga produktet po shkon mbi 10 lekë për kg. Është shumë e rëndësishme që abuzimi i monopolit, i kartelit që ndodhet në tregun e produkteve bujqësore të fillojë të adresohet më në fund”, tha ai.