Skandali me listën e pagave/ Vjen reagimi i parë nga grupi i Berishës: Mendësi kontrolluese diktatoriale

Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi ka reaguar për herë të parë pas skandalit me të dhënat private, të qarkullimit të listës së pagave të punonjësve në shtet dhe privat në Shqipëri i cili u publikua nga gazeta Shqip.
Këlliçi pjesë e grupit të Berishës shkruan se i gjithë sistemi është vendosur në funksion të patronazhimit socialist.
Postimi i Belind Këlliçit
Dinë kë ke votuar, kë mund të votosh, nga do anosh; të gjurmojnë votën, dinë ku punon dhe sa e ke rrogën.
Tatimet, QKR, e-Albania, Shqipëria që duam, të gjitha në funksion të patronazhimit socialist.
Përdorin të dhënat personale për të krijuar klimën e terrorit psikologjik se shteti të njeh me rrënjë e dhëmballë.
Si qëmoti edhe tani, e njëjta mendësi kontrolluese diktatoriale. Pikërisht nga ai që do hapi Ballkanin me koka peshku. Si një pijanik tavolinash të fryra, që pasi i vishen sytë nga avujt e alkoolit, ia nis të diskutojë me pathos edhe për gjeopolitikën.
Kujtojmë se gazeta Shqip ishte e para e cila publikoi këtë skandal i cili bëhet fjalë për një databazë me të dhënat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, pozicionin e tyre të punës, numri i ID-së, i NIPT-it dhe paga bruto e deklaruar.
Po ashtu bëhet e ditur se në listë janë emrat e 637.138 tatim-paguesve./Gazeta Shqip