Komisioneri dhe AKEP “s’kanë çfarë t’i bëjnë gomarit, i bien samarit”

Një deklaratë e së mërkurës e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u kërkonte të gjithë qytetarëve që kishin marrë në një formë a në një tjetër të dhënat e rrogës së muajit janar 2021 me rreth 637 mijë qytetarë, që t’i fshinin këto dosje, duke kujtuar se ishin në shkelje të ligjit.

Por, deklarata me sa duket ka pasur efektin e kundërt. Në vend të kësaj të dhënat në formatin Exel u shpërndanë edhe më shumë, madje pa u mbushur 24 orë nga ky ultimatum, në publik doli një dosje e dytë me rreth 690 mijë punonjës, ku veç shumës së pagave gjenden edhe numrat e telefonit.

Komisioneri këmbënguli sërish me një deklaratë të dytë, ku këtë herë u kërkon mediave që të mos bëjnë publike pagat e qytetarëve. Por, dëmi është bërë dhe për këtë nuk mund të bëhen fajtore mediat. Komisioneri me këtë deklaratë tregon se “kur s’ka çfarë t’i bëjë gomarit, i bie samarit”.

Misioni i mediave është të informojë publikun. Ajo as ka marrë në rrugë të paligjshme këto të dhëna, as ka hakeruar serverat shtetërorë, por thjesht po prodhon lajm mbi të dhënat e dala nga vetë zyrat e shtetit, që në këtë skandal duket se burojnë nga Drejtoria e Tatimeve.

“Nisur nga volumi jashtëzakonisht i madh i të dhënave që përmban kjo databazë, Zyra e Komisionerit ka kërkuar bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online dhe/ose nëpërmjet mediave”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Komisionerit.

Zyra e Komisionerit sjell në kujtesë një akt administrativ të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Problemi është se nuk bëhet fjalë për të dhënat e një, dy apo një grushti individësh. Në treg kanë dalë të dhënat e 690 mijë shqiptarëve. Kjo e bën këtë skandal me një interes të madh publik, që përballë ka një akt anonim të AKEP, për të cilin shumica e shqiptarëve vetëm sot po dëgjojnë.

Duke qenë se në skandal përplaset interesi publik me atë të të ruajtjes së të dhënave personale, çështja nuk mund të zgjidhet vetëm me një njoftim të thatë për shtyp dhe me një akt të AKEP-it. Për këtë më së paku do të ishte i nevojshëm nga ana e Komisionerit një mendim gjykate.

Si mund ta japë gjykata mendimin? Ligji i jep mundësinë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave që t’i drejtohet gjykatës për të marrë një urdhër që të ndalojë mediat që të publikojnë të dhënat personale të individëve që ndodhen në listën e 690 mijë punonjësve që sot nuk kanë më se çfarë t’u fshehin të tjerëve.

Gjykata do të shpërbente si palë e tretë në këtë përplasje mes interesit publik dhe atij privat përmes një vendimi, ku mund t’i jepte të drejtë edhe Komisionerit, duke dhënë urdhër për ndalimin e publikimit të këtyre të dhënave, por edhe mund t’u jepte të drejtë mediave, duke pasur parasysh të drejtën për informim dhe interesin publik.

©Copyright Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT