A është i blerë Belind Këlliçi nga socialistët dhe Belinda Balluku?!

Përmes një reagimi të gjatë publik, Belind Këlliçi i pranoi fijet që e lidhin me Belinda Ballukun përmes të vëllait të tij, Reshard Balluku, që ka shërbyer si këshilltar në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku.

Në këtë reagim, deputeti tha se si i vëllai na kishte dhënë dorëheqjen për të mos i dëmtuar kauzën, betejën e luftën opozitare të Belindit. Por, kauza e Belindit si opozitar duket e dëmtuar tashmë.

Ish-kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, sot në krah të Berishës, madje i përzgjedhur edhe si njeriu që të lexonte letrën e shkarkimit drejtuar Lulzim Bashës me retorikën e tij pas 25 prillit duket se ka konfirmuar zërat e përhapur sidomos gjatë fushatës, për një aleancë nën rrogoz të tij me Belinda Ballukun.

Ashtu siç Gazeta Shqip solli në shkrimin e kaluar, ku zbuloi lidhjet e Belind Këlliçit me ministren e Infrastrukturës, pati hamendësime se përse deputeti i PD-së nuk u përqëndrua fort gjatë fushatës në zonën e Kombinatit, ku përballë kishte Belinda Ballukun.

Arsyeja kryesore që u dha në atë kohë ishte se Kombinati njihej si bastion i socialistëve dhe fushata duhej përqëndruar te zona e Yzberishit, Astirit dhe te fshatrat e Kasharit. Por, arsyeja e vërtetë, me sa duket paska qenë një tjetër dhe që nuk lidhet fort me interesin e demokratëve, siç Belind Këlliçi pretendon se mbronte në fushatë, e pretendon ende më shumë se mbron sot si deputet.

Kjo është njolla e parë e kauzës opozitare të Belind Këlliçit. E dyta është edhe më e rëndë. Si deputet, pas 25 prillit ai ka qenë ndër zërat më aktivë të opozitë në denoncimet e bëra kundër atyre që i quante afera korruptive të qeverisë. I ka marrë thuajse të gjithë me radhë figurat qendrore të socialistëve, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal.

Ka hedhur akuza për ministra dhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ministrinë e Belinda Ballukut jo. Deputeti i brezit të ri, siç pëlqen ta quajë veten, apo siç mbështetësit e tij e shohin duket se ka vepruar me metodën e vjetër në raport me mazhorancën, sidomos me ministrinë e Belinda Balluku, ku i vëllai i punonte si këshilltar.

Metoda e vjetër është orientimi i sulmeve të opozitës larg segmenteve, apo dikastereve të qeverisë me të cilën e bashkojnë interesat personale dhe jo ato të elektoratit. Kjo duket se është arsyeja se përse Belind Këlliçi, jo vetëm që s’i ka përmendur emrin, por ka heshtur edhe në rastet kur zyrtarë të tjerë të partisë së tij kanë ngritur akuza ndaj Ballukut për tenderat e rrugëve.

Jo vetëm kaq, por ai ka devijuar shënjestrën e opozitës në drejtim të rivalëve të Belinda Ballukut brenda shumicës, siç janë Damian Gjiknuri dhe Erion Veliaj. Kjo mbase nuk është hera e parë që ai devijon vëmendjen dhe aksionin opozitar./Marre nga: Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT