Në kohën që të dhënat vidheshin, AKSHI zhvillonte tender 100 mln lek për ruajtjen e tyre

Inspektorët e tatimeve me akses në sistemin e të dhënave janë duke u marrë në pyetje në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria e Tiranës për të zbuluar se nga rrodhën informacionet personale të mijëra shqiptarëve.

Por, në muajt që këto të dhëna nxirreshin në mënyrë të paligjshme jashtë sistemeve të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, AKSHI zhvillonte një tender për blerje shërbimit të automatizimit dhe monitorimit të aktivitetit për inspektorët tatimorë.

Tenderi është fituar nga bashkimi i kompanive “IVA ELEKTRONIK” dhe “Image & Communications Development” me një ofertë rreth 100 milionë lek.

Sipas formularit të njoftimit të fituesit të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, tenderi është publikuar në faqen elektronike të Agjencisë së Prokurimit Publik me numër reference: REF-59482-06-01-2020.

Por, nëse kërkon në APP tenderin me këtë numër reference në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik rezultati është zero. Pra, sipas këtij kërkimi ky tender ose nuk është publikuar në faqen e APP, ose është publikuar dhe më pas fshirë prej faqes zyrtare të APP.

Në përshkrimin e shkurtër të kontratës përcaktohet: “Blerje shërbim automatizimi dhe monitorimi të aktivitetit për inspektorët” për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kohëzgjatja e fazës përgatitore për shërbimin e instalimit përcaktohet një muaj dhe 12 muaj është kohëzgjatja e ofrimit të këtij shërbimi që nga momenti i nënshkrimit të kontratës.

Shërbimi në fjalë gjurmon aktivitetin e inspektorëve të tatimeve në sistemet e AKSHI-t me të dhënat e qytetarëve për të monitoruar kontrollet që ata kryejnë. Fondi limit i vendosur në dispozicion nga AKSHI për këtë tender ishte 106 milion lek. Në tender morën pjesë tre kompani, ku dy të tjerat nuk paraqitën oferta./ Marre nga: Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT