Kuvendi shpall gjendjen emergjente/ Rama premtoi se do të ndihmojë Kosovën me energji elektrike, reagon Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të energjisë në vend, duke i dhënë përkrahje vendimit të Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji. Vendimi nënkupton që bëhet i ligjshëm reduktimi i energjisë.

Vendimi është miratuar me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë kundër.

Masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë. Masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimit në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Me vendim parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve te Ministrja e Ekonomisë. Ky Komitet ka për detyrë të rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të krijuara nga kriza ekonomike. Pas rekomandimeve Ministria duhet të publikojë masat kufizuese obligative.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama dha mbështetjen me energji për dy ditët e ndërrimit të vitit.

Kurti tha se kërkesën për ndihmë e ka bërë Kosova nëpërmjet ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ka thënë se dy vendet plotësojnë njëri-tjetrin pasi Shqipëria ka ujë kurse Kosova ka qymyr. Kurti theksoi se bëhet fjalë për dy ditë dhe se Kosova do të mund t’ia kthejë këtë ndihmë Shqipërisë në verë.

“Ne e falenderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Republikës së Shqipërisë, për shkak se ne jemi komplementare, ne kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale; ne kemi qymyr, ata kanë ujë. Dhe bëhet fjalë për dy ditë ndonëse janë dy ditë, janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të motmoteve dhe më pastaj edhe ne do të kemi mundësi t’u ndihmojmë në rast nevoje në verën e vitit ë ardhshëm”, tha ai.

Ai theksoi se kjo ndihmë është e veçantë, sepse është ndihmë në kushtet kur edhe Shqipëria vetë nuk i ka punët mirë me krizën energjike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT