Tjetërsimi i pronave tek Rana e Hedhun, çështja rikthehet në “pikën zero”, rishqyrtohet sërish në Apelin e Shkodrës

Çështja e tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin ku u dënuan nga shkalla e parë 17 persona do të rishqyrtohet sërish.

Bëhet me dije ditën e sotme se çështja pritet të rishqyrtohet nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Sipas informacioneve vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila pranoi rekursin që kishte bërë Prokuroria e Apelit dhe vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

Sakaq kujtojmë se Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë ne muajin shtator të vitit 2020 shpalli fajtor dhe dënoi me katër vite burg për “Shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, për akuzën e tjetërsimit të pronave te Rana e Hedhun në bregdetin e Shëngjinit.

Apeli e riktheu çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk është zhvilluar si një proces i rregullt ligjor, pasi ka pasur shkelje procedurale si mos veçimi i çështjes, i cili është bërë me arsyetimin e bashkëpunimit edhe pse në fund ka vendosur se s’ka bashkëpunim.

Gjithashtu për shpërdorim detyre u dënua ish-nënkryetari i bashkisë Enver Hafizi me 1 vit burg, ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka me 4 vite burg dhe ish-drejtori i Hipotekës Artan Djala me 3 vite burg.

Në total gjyqtari Ilir Perdeda dha 37.6 vite burg për 17 persona, nga 43.6 vite që kishte kërkuar prokurori Erjon Shehaj.

Sjellim në vëmendje se hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT