Ultimatume dhe përjashtime/ Beteja Basha-Berisha zbret në bazë

Në Partinë Demokratike gjithçka po ndodh dhe askush nuk e ka mendjen te festat e fundvitit. Edhe në ditët e fundit të vitit 2021, beteja mes Berishës dhe Bashës i ngjan atyre sekondave të fundit të ndeshjes së boksit ku pritet të bjerë gongu final, e më pas të shpallet fituesi.
Lulzim Basha po ndjek një strategji të re, pas akuzave të shumta të kampit tjetër të përfaqësuar nga Berisha. Ai po del në bazë për t’u takuar me demokratët dhe për të demonstruar se edhe ai gëzon mbështetjen e tyre dhe jo vetëm Foltorja e ish-kryeministrit Berisha.
Basha dje ishte në Dibër ku takua me mbështetësit e tij, ndërsa parashikohet që ketë takime edhe në rrethet e tjera, si kundërpërgjigje ndaj Berishës, i cili tashmë nuk e njeh si kryetar i PD-së dhe i ka dhënë ultimatum për të liruar zyrën deri më 5 janar.
Nga Dibra, Basha veç synimit të marrjes së mbështetjes së demokratëve, po e shfrytëzon “Foltoren” e tij për të “demaskuar” Berishën, i shpallur “non-grata” nga DASH. E për këtë ai shprehet se PD-ja zgjodhi të ardhmen.
E veçanta e këtyre përplasjeve është se ditët e fundit ajo po zhvillohet nga të dyja frontet me një risi, si nga Basha, ashtu edhe nga Berisha me takimet me bazën. Berisha po shfrytëzon takimet në rrethe me rastin e 30-vjetorit të themelimit të PD-së.
Berisha tha se ai do të bëjë histori si politikanë më i papërgjegjshëm. Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës deri në 5 janar që të lirojë zyrat e selisë blu. Mes dy kampeve ka nisur edhe beteja e fotoja për të krahasuar mbështetjen e të dyjave kampeve se kush ka më shumë.
Deri në përfundimin e ultimatumit të lëshuar me anë të një “fermani” nga Berisha dhe mbështetësit e tij, pritet të ketë takime të vrullshme me bazën. Basha njëherësh me këto takim po teston dhe se sa mbështetje ka në bazë, pasi një shkëputje të madhe, pas rizgjedhjes së tij si kryetar i Partisë Demokratike.
Njëherësh Basha ka paralajmëruar dhe kryerjen e një reformimi të PD-së, duke larguar të gjithë ata që po mbështetësin ish-kryeministrin Sali Berisha./Gazeta Shqip