Ministrja e Ekonomisë jep lajmin e keq: Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë (ARSYEJA)

Kosova ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisës Artane Rizvanolli.
Me anë të një postimi në rjretet sociale ajo ka sqaruar se ky vendim është marrë si masë për të përballuar krizën energjitike.
“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore.
Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave.
Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”thuhet në postimin e ministres.
Prodhimi i kriptovalutave behet përmes pajisjeve te cilat konsumojnë një sasi jashtëzakonisht të madhe energjie elektrike.