SHBA paralajmëron goditje të tjera në Ballkan, Escobar: Nuk do lejojmë destabilizim!

SHBA nuk do të hezitojë të përdorë sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues në rajon.

Kështu deklaroi Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, sipas euractiv.com, që citon agjencinë malazeze të lajmeve, MINA.

Zyrtari i lartë DASH vlerësoi se politika identitare, e cila ndan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e popujve të Ballkanit Perëndimor.

“Që Mali i Zi të bëjë përparim konkret në rrugën e tij euroatlantike, liderët politikë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit duhet të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri civile’’, theksoi Escobar.

Ai shpjegoi se në një shoqëri të tillë, feja, kombësia dhe përkatësia etnike nuk do të përcaktojnë nëse dikush ndihet i sigurt dhe anëtar i barabartë i komunitetit.

I pyetur se si e shikon ai memorandumin e nënshkruar nga Lëvizja Qytetare URA, Civis, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, Escobar tha se ‘’Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qëndrim zyrtar mbi këtë marrëveshje politike’’.

“Megjithatë, ne mbështesim ata që duan një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili është i pozicionuar në institucionet euroatlantike”, tha Escobar.

“Në Mal të Zi, si në vendet e tjera të rajonit, ne po shohim edhe një herë dëmin e shkaktuar nga aktorët që manipulojnë me cinizëm çështjet e identitetit për qëllimet e tyre”, përfundoi Escobar, duke shtuar se ”SHBA është e gatshme të mbështesë Malin e Zi”.

“Liderët në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për interesin e qytetarëve dhe jo për përfitime personale apo të partive të tyre, u shpreh ai.

“Ne nuk do të hezitojmë të shfrytëzojmë sanksionet dhe mekanizma të tjerë për të çuar një mesazh të fortë për aktorë të korruptuar dhe që destabilizojnë rajonin,” tha zyrtari i lartë amerikan.

Escobar sqaroi se SHBA-ja do të jetë një partner i atyre që kanë qasje konstruktive dhe jo destruktive ndaj ardhmes së rajonit, që karakterizohet nga anëtarësimi në BE dhe NATO dhe në ekonominë transparente.

Disa ditë më parë Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj grupit të Zvonko Vesellinoviçit dhe Milan Radojiçiçit, ndërsa të mërkurën Departamenti i Thesarit njoftoi masa shtesë ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili muajt e fundit ka intensifikuar përpjekjet për shkëputje të enitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT