Vetëm 1 ditë para protestës, eurodeputetët letër Bashës: Respekto vullnetin e Kuvendit të 11 Dhjetorit dhe anëtarësisë në 18 Dhjetor

Eurodeputetët e Partisë Popullore Europiane i kanë dërguar një letër kryedemokratit Lulzim Basha, vetëm 1 ditë përpara protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në letrën e publikuar nga media pranë Berishës, i kërkohet Bashës që të respektojë vullnetin e Kongresit të 11 Dhjetorit dhe referendumin e datës 18 Dhjetor, ku anëtarët e PD-së e shkarkuan atë.
Letra e Eurodeputetëve:
Zotit Lulzim Basha, deputet i parlamentit
I dashur Lulzim Basha,
Po ndjekim me shumë preokupim zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike. Ne kemi mbështetur vitet e fundit qëndrimet korrekte të PD-së edhe në momente shumë të vështira siç do t’a mbani mend personalisht. Shqipëria ka nevojë tani, më shumë se kurrë, për një opozitë funksionale që siguron kontroll dhe ekuilibër demokratik ndaj një qeverie socialiste gjithnjë e më arrogante. Për ta arritur këtë, PD duhet të gjejë unitetin e saj; prandaj ju e keni detyrim të respektoni vullnetin e kongresit të partisë dhe të anëtarësisë siç u shpreh përkatësisht në 11 dhe 18 dhjetor të vitit të kaluar.
Duke marrë përsipër përgjegjësinë tuaj personale dhe duke shmangur pasojat, sigurisht që do të kontribuoni në forcimin e PD-së si parti në të gjithë vendin dhe si grup politik në Parlament. Jemi të sigurt se gjesti juaj do të respektohet nga kolegët tuaj demokratë dhe nga miqtë tuaj të PPE në Europë.
