Berisha zbulon skenarin e protestës: Ja si do t’i hapim dyert nesër, Basha do të dalë…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar skenarin se çfarë do të ndodhë në ditën e shtunë në prostestën përpara selisë së PD-së.
Në një intervistë televizive, Berisha u shpreh se gjithçka do të jetë paqësore dhe e nuk do t’i preket asnjë qime floku personave që do të gjenden në seli, duke nënkuptuar deputetët e PD-së.
“Morali i protestës nuk ka të bëjë me një zyrë por me një parim themelor, të demokracisë dhe pluralizmit, shumica vendos dhe pakica respekton këtu është gjithçka. Basha në përputhje me procedurat statutore është shkarkuar nga anëtarësia. Nesër rivendoset parimi shumica vendos, pakica pranon. Protestë e fuqishme paqësore, ne do të jemi aty në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë akt dhune. Nuk është dhunë, hapja e derës, nëse tjetri mbyll derën. Unë nuk po shkoj dyert e PS-së, për të protestuar unë po shkoj te shtëpia ime. Absolutisht do të përdoren mjete që hapin dyert e hekura. Por të garantojë se nuk është dhunë, është hapja e derës së shtëpisë. Asnjë qime floku nuk do t’i preken atyre deputetëve që janë brenda”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi se “ai që nuk don që ne të hyjmë aty, është vetëm një, e Basha është njeriu i shkarkuar nga anëtarësia dhe që përdor milionat e plaçkitura për llogari të tij”.
Berisha ritheksoi se dyert do të hapen nëse Basha i mban të mbyllura ato. Ai shtoi se nëse Basha refuzon të dalë nga zyra, ai do të dalë butësisht.