Agron Shehaj paralajmëron parti të re? Deputeti: Duhet të ndërtojmë një alternativë dhe opozitë të vërtetë, duhet dhe do t’ia dalim

Deputeti demokrat Agron Shehaj, i cili është edhe një nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha në përplasjen e këtij të fundit me Lulzim Bashën, ka paralajmëruar krijimin e një partie të re opozitare.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj shprehet se pakica që ka Basha kontrollohet nga Edi Rama, ndaj duhet ndërtuar një alternativë e re dhe një opozitë e vërtetë.

“Pakicën e Bashës tashmë e kontrollon plotësisht Edi Rama. Për disa, ky është fundi i opozitës, por kjo nuk është e vërtetë.

PD-ja nuk është as vula, as godina e kyçur dhe as karrigia e kryetarit. Partia Demokratike janë qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, anëtare dhe votues, që nuk dorëzohen përballë padrejtësive dhe korrupsionit, që besojnë në lirinë dhe demokracinë që me aq mund e sollën vetë dikur.

Tashmë gjërat janë të qarta: Demokratët dhe të gjithë, tani dallojnë mirë nga një anë opozitën-fasadë dhe njerëzit e përdorur nga Rama dhe nga ana tjetër, opozitën e vërtetë dhe opozitarët që nuk shiten.

Tani, ne duhet të ndërtojmë një alternativë dhe opozitë të vërtetë, ndryshe nga Rama dhe kukulla e tij. Duhet dhe do t’ia dalim”, shkruan Shehaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT