PD publikon videon nga protesta: Njeriu i Berishës ngjitet me thikë te zyra e Bashës

Partia Demokratike ka publikuar një video nga protesta e dhunshme e 8 Janarit në selinë blu,ku thotë se Berisha u braktis nga pjesa dërrmuese e demokratëve.

Në videon e publikuar shihet një person  me thikë në dorë i cili ka tentuar që të ngjitet në zyrën e kryedemokratit Basha. Më tej thuhet se ish-kryeministri në protestën e 8 Janarit angazhoi bandën me dhjetëra kriminelë.

“Sali Berisha e humbi kur pa se ishte i rrethuar nga një grup i vogël njerëzish, pasi shumica dërrmuese e demokratëve e braktisën. Me dhunën e 8 janarit ai dëshmoi që është gati të bëjë gjithçka, qoftë dhe viktima, vetëm për hallin e tij. Dhe për këtë ai ka angazhuar një bandë prej disa dhjetra kriminelësh. 8 janari ishte një ditë shumë e hidhur për demokratët”, shkruan Partia Demokratike.

Kujtojmë se, më datë 8 Janar selia dhe oborri i Partisë Demokratike u kthyen në “vendngjarje” dhe u rrethuan me shirita “skenë krimi” nga Policia e Shtetit. Për shkak të dhunës së ushtruar dhe vandalizimit në selinë blu, atje ndërhynë Forcat Speciale sepse kreu i PD Lulzim Basha kërkoi ndihmë, duke arsyetuar se deputetëve u rrezikohej jeta.

Dje, uniformat blu të kryeqytetit njoftuan se në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan në kushtet e flagrancës 34 persona dhe proceduan penalisht 18 të tjerë. Mes të proceduarëve ishte dhe Flamur Noka e Gaz Bardhi, kurse te personat e arrestuar ishte Ylli Gosturani, vëllai i truprojës së Lulzim Bashës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT