Nga PËRJASHTUES në I PËRJASHTUAR/ Historia e largimeve të bujshme në PD, cilët janë “TË PABINDURIT” që i largoi Sali Berisha, dje Basha ia ktheu me të njëjtën “monedhë”

Përjashtimi i Sali Berishës nga Partia Demokratike është ndoshta ngjarja më e bujshme në më shumë se 30 vite ekzistencë të kësaj partie që solli pluralizmin politik, pasi ish-kryeministri është njeriu më me ndikim te demokratët në të gjithë Shqipërinë, për shkak se ishte kryetar i PD-së për rreth 22 vite, shkruan newsbomb.
Por nëse do të kthehemi pas në histori, në PD ka patur edhe përjashtime të tjera të personave që kanë kontribuuar për themelimin e kësaj partie. I pari që është përjashtuar ka qenë Gramoz Pashko, një nga themeluesit e PD-së,i cili pasi doli kundër lidershipit politik të kësaj partie, u përjashtua nga Sali Berisha.
Të njëjtin fat do të kishte edhe Arben Imami, i cilu i largua me arsyetimin se kishte krijuar nismë fraksioni në parti, së bashku me Ridvan Peshkëpian, Perikli Tetën dhe Afrim Jupin. Në 1997 do të përjashtohej Azem Hajdari, deputeti i cili do të humbte jetën 1 vit më vonë përpara selisë së PD-së, i vrarë nga Fatmir Haklaj. Po në atë vit u përjashtuan edhe Dashamir Shehi, Alfed Serreqi, Tomor Malasi, Leka toto, tomor Dosti, Maksim Konomi, Arjana Nati dhe Petrit Berhami, të gjithë me arsyentimin se kishin ngritur nismë fraksioni në parti.
Në vitin 2000 dotë vinte radha e Genc Rulit, Leonard Demit, Ferdinand Xhaferrit, Genc Pollos, Ylli Vejsiut dhe Tritan Shehut, të cilët do të përjashtoheshin me vendim të Këshillit Kombëtar, pasi ishin kritikë me lidershipin në parti, shkruan newsbomb.
Disa prej emrave të sipërpërmendur do të riktheheshin sërish në koalicion me Partinë Demokratike, kur në vitin 2005 e djathta do të merrte pushtetin dhe Sali Berisha do të zgjidhej kryeministër i ri i vendit. Arben Imami, Genc Ruli dhe Genc Pollo do të ktheheshin sërish krah Berishës dhe do të merrnin poste ministerash në qeveritë Berisha (2005 – 2013).
Viti 2006 do të ishte viti i përjashtimit të Spartak Ngjelës, i cili në mbledhjen e partisë mbajti qëndrim të ashpër ndaj Sali Berishës dhe e kundërshtoi hapur, duke bërë që vetë Sali Berisha ta largonte nga partia Kryetarin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Pas largimit të Berishës në vitin 2013, në krye të PD-së do të vinte Lulzim Basha, i cili do të vijonte traditën e paraardhësit të tij, duke përjashtuar “të pabindurit”. Fillimisht ishin njerëzit më të afërt të Berishës si 2 ish-nënkryetarët e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi; ish-Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode; ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu; ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj; ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami; ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli; apo dhe rivali i tij për drejtimin e PD, Eduard Selami.
Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi u përjashtuan pasi refuzuan të heqin dorë nga mandati i dpeutetit kur opozita vendosi të bojkotojë Parlamentin në vitin 2019. Për të ardhur në fund te dita e djeshme, ku në mbledhjen e Kryesisë, Lulzim Basha vendosi të përjashtonte përgjithmonë nga partia Sali Berishën, njeriun më të rëndësishëm të PD-së për shumë vite. Bashkë me të, të njëjtin fat patën edhe Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu, Keltis Kruja dhe Rigels Muçollari.
Pra, në fund Sali Berisha u përjashtua nga njeriu që e mëbshteti që në fillimet e tij në politikë, Lulzim Basha. Nga PËRJASHTUES në i PËRJASHTUAR, kjo ishte historia e Sali Berishës në Partinë Demokratike, por me shumë gjasë, vështirë të mbyllet me kaq, pasi ish-kryeministri ka paralajëmruar se do të rikthehet të marrë sërish PD-në, të cilës i mori dhe i dha shumë./Newsbomb
