“Berisha nuk ka ndryshuar”/ Klosi: Fatkeqësisht dhunën ja ka trashëguar edhe Bashës

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi në Zona Zero në Top News përplasjen e 8 janarit për kontrollin e selisë së Partisë Demokratike.
“Berisha nuk ka ndryshuar. Ai është i njëjti, por fatkeqësisht ja ka trashëguar këtë edhe trashëgimtarëve të tij, edhe vetë Lulzim Bashës”, deklaroi Fatos Klosi.
Sipas Klosit: “Është i njëjti brum dhe janë ndarë për interesa dhe probleme personale. Edhe Luli probleme personale ka dhe do të rrijë në krye të partisë. Nuk do të votohet prap se e sheh që votimi i ardhshëm nuk është aq i kollajtë sa ai i qershorit”.
Klosi vlerësoi si korrekt qëndrimin që mbajti Policia e Shtetit në atë protestë.
“Nuk ishte hiç e gabuar, edhe qëndrimi i dy palëve e tregon këtë. Berisha kërkoi të mos ndërhynte policia. Pala brenda u ankua se erdhën me vonesë. Më pëlqeu policia, ishte shumë e vendosur edhe e qartë. Policia përfaqëson rendin dhe ligjin dhe të gjithë ata që përplasen me të janë kundër ligjit. Gazet lotsjellës për atë punë janë krijuar dhe të dëmtojnë dhe përdoren kudo”, tha Klosi.