MPJ e Shqipërisë dhe “çështja e Kosovës”: Lapsus apo intrigë?

Nga Shaban Murati
Nuk e di cili profan e ka shkruar komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të datës 1 janar 2022 me titull “Shqipëria nis sot zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se “Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës”.
Të flasësh sot për “çështje të Kosovës” është një gabim i rëndë diplomatik, politik, kombëtar, historik dhe kulturor, edhe për një njeri të thjeshtë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa le më për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, për të cilën mund ta klasifikosh gafë skandaloze profesionale.
Është e pafalshme që në komunikatën zyrtare të dikasterit kryesor të diplomacisë dilet dhe flitet publikisht për një të ashtuquajtur ”çështje të Kosovës”, një çështje jo vetëm inekzistente, por edhe një artifis diplomatik dhe provokim konstant antishqiptar serbo-rus.
A nuk e di Ministria e Jashtme e Shqipërisë atë që e di gjithë bota diplomatike e qytetëruar se “çështja e Kosovës” është e zgjidhur prej kohësh dhe që për “çështje të Kosovës” flasin vetëm ato shtete dhe ato diplomaci, që nuk janë dakord me shtetin e pavarur të Kosovës si zgjidhje përfundimtare e asaj “çështjeje”?
Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhja e “çështjes së Kosovës” përfundoi në 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran me shprehjen e vullnetit masiv unanim të popullit të Kosovës nga organi më i lartë legjislativ demokratik, parlamenti i Kosovës, dhe me përkrahjen e fuqishme të shteteve më të mëdha demokratike të botës me në krye ShBA-në.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhjen e të ashtuquajturës “çështje të Kosovës” e mbylli dhe e vulosi përfundimisht verdikti i tribunalit më të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 22 korrik 2010 me vendimin që pavarësia e shtetit të Kosovës është në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.
MPJ e Shqipërisë duhet ta dijë se shteti i pavarur i Kosovës është njohur nga rreth 120 shtete anëtare të OKB, përfshirë shtatë shtetet kryesore më demokratike dhe më të zhvilluara të botës të grupit G7, çka përbën shkallën e tretë të konfirmimit diplomatik ndërkombëtar të zgjidhjes së “çështjes së Kosovës”.
Ajo, që e bën më skandaloz qëndrimin e ri të MPJ të Shqipërisë për një të ashtuquajtur “çështje të Kosovës”, është fakti se as tri shtetet e mëdha perëndimore anëtare të përhershme të KS të OKB-së: ShBA, Britani e Madhe dhe Francë, as shtetet e grupit perëndimor G7, nuk flasin kurrë për ndonjë të ashtuquajtur “çështje të Kosovës”.
Nuk ka një dokument zyrtar të NATO-s dhe të BE-së, që të flasë për “çështje të Kosovës”. Për Perëndimin, ku duhet të bëjë pjesë Shqipëria, nuk ekziston “çështje e Kosovës”, sepse ajo është tashmë e zgjidhur me shtetin e pavarur të Kosovës.
Këtë realitet të ri politik, diplomatik dhe gjeopolitik të zgjidhjes se “çështjes së Kosovës” nuk e njohin dhe nuk e pranojnë Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë të mos i binden vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të flasin për “çështje të Kosovës”, sepse sipas tyre nuk është zgjidhur ende.
Flet çdo ditë për të ashtuquajturën “çështje të Kosovës” ambasadori i Rusisë në Beograd, flet ministri i Jashtëm i Serbisë dhe i Rusisë; flet presidenti i Serbisë dhe i Rusisë. Flasin Serbia dhe Rusia për “çështje të Kosovës”, sepse ato e quajnë të pazgjidhur ende, ngaqë Serbia konsideron “zgjidhje” rikthimin e Kosovës në koloni serbe, kurse Rusia ka interesin strategjik të vazhdimit pafund të krizës jugosllave dhe të tensioneve në Ballkan, të cilat e sanksionojnë Moskën si lojtare në tryezën e ngushtë ndërkombëtare të tratativave për Ballkanin.
Ndaj diplomacia serbe dhe ruse zhurmojnë pareshtur në forumet dhe në arenën ndërkombëtare për një të ashtuquajtur ”çështje të Kosovës”. Diplomacia amerikane dhe atlantike e kanë refuzuar dhe injorojnë këtë qëndrim absurd serbo-rus.