Arrihet marrëveshja midis Shkupit dhe Prishtinës

Prishtina dhe Shkupi kanë arritur sot marrëveshje për tejkalimin e krizës tregtare dhe lëvizjes së lirë midis dy vendeve.

Kjo u konfirmua nga kabineti i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, i cili sot ka zhvilluar konsultime dhe komunikime intensive me Shkupin zyrtar për të gjetur zgjidhje lidhur me heqjen e embargos nga pala kosovare ndaj prodhimeve të Maqedonisë, ndërsa nga ana tjetër të hiqen taksat hyrëse për qytetarët e Kosovës, që ishin aplikuar si kundërpërgjigje nga pala e Shkupit. 

Driton Lajçi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Kuçi ka thënë për Gazetën Express se ende nuk ka marrëveshja klasike, por ka pajtim që gjendja të kthehet në pikën zero, ashtu qysh ka qenë para se të merreshin vendimet për bllokimin e mallrave dhe njerëzve nga të dy shtetet.
“Marrëveshje në formë klasike nuk ka. Po marrëveshje që situata të kthehet në pikën zero siç ka qenë para bllokadës”, ka thënë Lajçi, duke shtuar se nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë gjatë ditës pritet që të dyja Qeveritë të dalin me komunikata zyrtare nga kabinetet e Kryeministrave.

16:30 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin  Kuçi deklaroi sot se është duke u punuar në drejtim të tejkalimit të krizës tregtare midis Kosovës dhe Maqedonisë.  Ai këtë e theksoi në një intervistë për Radio Kosovën, duke konfirmuar edhe pamundësinë e tij për të udhëtuar sot në Shkup, për të zhvilluar takime me krerët shtetëror të këtij vendi. 

“Jam në konsultime permanente me qeverinë e Maqedonisë që nga dita e djeshme, edhe sot në veçanti kam pasur disa kontakte telefonike, dhe jemi në rrugë të mbarë për ta gjetur zgjidhjen. Do ta shohim a është e nevojshme të shkojmë atje, apo do të vijnë ata ose ndonjë takim diku tjetër, apo mund të bëjmë edhe në forma tjera. Ajo që është qëllimi ynë është që ta kthejmë gjendjen ashtu siç ka qenë, pra pa obligime të kemi qarkullim të lirë edhe të mallrave edhe të shërbimeve edhe të kapitalit edhe të individëve”, theksoi Kuçi.

Sipas tij, Prishtina është e gatshme që ta kthejë gjendjen ashtu sikurse që ka qenë. Ai tha se duket se ka një qasje pozitive edhe nga ana e Maqedonisë. 

“Vendimet tona do të jenë në përputhje edhe me dinjitetin shtetëror, edhe me interesat e qytetarëve tonë por edhe me qëllim të një fqinjësie të mirë. Jemi duke punuar në atë drejtim, natyrisht se nëse arrihet ajo që e kërkon Qeveria e Kosovës pra të jemi në pikën zero ashtu siç ka qenë, ne jemi të gatshëm të marrin masa të menjëhershme për të vepruar”, theksoi zëvendëskryeministri kosovar. 

Ai pranoi se ka ndihmues në këtë proces, por, janë vendosur kontakte të drejtpërdrejta edhe me Qeverinë e Maqedonisë, duke qenë i konfirmuar edhe një takim me kryeministrin e Maqedonisë sot. 

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT