Varrezat greke, Mustafaj i nisi, Basha i bitisi

Një nga çështjet më të koklavitura, që i ka bërë më problematike marrëdhëniet tona më fqinjin jugor, është ajo e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së Dytë Botërore. Në fakt, për të qenë korrekt, janë ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në fundin e vitit 1940 dhe në gjysmën e parë të vitit 1941. Është një kronikë lufte e më shumë se 70 viteve të shkuar, por me një histori problematike që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Lufta italo-greko e vitit 1940-1941 është një luftë e veçantë, ajo ka disa karakterittika unike të cilat janë shfrytëzuar qëllimisht për të nxitur urrejtje dhe pengesa jo midis dy ushtrive luftuesve greke dhe italiane, por midis luftuesve grekë dhe shqiptarëve të cilët ishin pothuajse indiferentë në fushëbetejat midis dy ushtrive. Ajo luftë ka veçantinë e saj sepse zhvillohej në një territor asnjanës, në vendin e një populli tjetër.
Gjatë luftës italo-greke nuk është mësuar asnjëherë saktësisht se sa ushtarë grekë janë vrarë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Flitet për disa mijë, por nuk është dhënë asnjëherë një shifër ekzakte. Nga shënimet e ushtarëve grekë që shpëtuan flitet për tmerret e luftës dhe varfërinë e fshatrave shqiptare, shtëpi të rrënuara nga bombardimet. Ushtarët grekë endeshin nëpër fshatrat shqiptare me të holla në dorë për të blerë diçka, por dyqanet ishin bosh… Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë tregoi edhe njëherë se politikanët, ministrat, deputetët shqiptarë u gjunjëzuan edhe një herë tjetër përpara presioneve të Athinës.
Ndërtimi i këtyre varrezave memoriale në pamje të parë duket si një gjest human, por shumë shpejt u pa prapavija e qarqeve antishqiptare para të cilave është gjunjëzuar paturpësisht Tirana zyrtare e qeverisur nga Berisha. Se sa fyese është për ne ky akt i qeverisë sonë, mjafton të kujtojmë se që nga ngritja e të ashtuquajturave varreza greke në Kosinë të Përmetit, vit pas viti, më 28 tetor anarkistë dhe fondamentalistë grekë, përfshi dhe deputetë dhe politikanë ekstremistë të Athinës, hyjnë pa teklif në Shqipëri dhe e përkujtojnë ditën e sulmit italian kundër Greqisë në… Kosinë të Përmetit. Ky është një akt provokativ që përsëritet vit pas viti, ndërsa grekët kanë arritur të ngrenë tezën për edukimin e brezave të ardhshëm grekë se Shqipëria ka pushtuar Vorio-Epirin (jugu i Shqipërisë) në luftën italo-greke.
Në radhë të parë, për shkak të asaj lufte midis dy shteteve të tjerë, pra Italisë dhe Greqisë, por që filloi nga territori shqiptar në atë kohë i okupuar nga Italia fashiste, Greqia vendosi ligjin e luftës me Shqipërinë, një ligj që në mënyrën më absurde, vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite. Kjo çështje çuditërisht doli në skenë pas viti 2005 dhe e ka shoqëruar qeverisjen e Berishës si një hije e zezë. Shpesh herë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje janë tensionuar pikërisht për këtë çështje.
Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për “kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke të 1940-1941, në Shqipëri filluan punimet për gjetjen e kockave. Mirëpo, në vend të kërkimit të eshtrave të ushtarëve grekë, në Këlcyrë plasi një skandal i paparë, pasi në vend të eshtrave të ushtarëve grekë, nëpër qese plastamasi dhe mandej në memorialin përkatës, u rivarrosën eshtra shqiptarësh. Mandej kemi një dhunim tjetër të varreve shqiptare në Boboshticë të Korçës. Ndërkohë janë hapur dhe mbyllur procese gjyqësore, por e vërteta asnjëherë nuk ka dalë e plotë. Gazeta ‘Dita’disponon letrën që ministri i jashtëm i asaj kohe, i ka dërguar kryeministrit Berisha dhe ku rrëfehet në mënyrë kronologjike se si ka rrjedhur kjo histori. Në fakt, duke lexuar me vëmendje historinë e negociatave midis dy vendeve, vërehet qartë se si Tirana zyrtare është ulur para kërkesave ultimative nga Athina.
Kjo vërtetohet edhe nga kabllogramet e ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Uashingtonit, të cilat i ka publikuar Uikiliksi. Pas dorëheqjes së Besnik Mustafajit më 24 prill 2007, këtë punë e ka vazhduar dhe materializuar ministri pasardhës i Jashtëm, Lulzim Basha. Mustafaj e nisi, Basha e bitisi. Kryetari aktual i PD-së që shihet gjerësisht si një marionetë eBerishës është akuzuar për firmosjen e paktit detar me Greqinë, në bazë të të cilit i dhuroheshin Greqisë 350 km katrore det. Del se zoti Basha (qirie Basha, do të thoshin grekët në gjuhën e tyre) është firmosës edhe për  varrezat greke në Shqipëri. Ç’maskaradë!

Wikileaks: Tirana iu bind presionit grek
Fondet për ndërtimin ilegal të mauzoleumeve të ushtarëve grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore janë dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria greke, e cila mësohet se ka financuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Lajmi  bëhet i ditur nga një kabllogramë e Wikileaks. Kabllograma me kod 06 Tirana 662 e 21 qershorit 2006 raporton mbi incidentin e krijuar me zhvarrimet ilegale të zhvilluara në fshatin Kosinë të Përmetit. Në atë kohë, një prift lokal pagoi disa vendës për të kryer disa zhvarrime. Banorët vendës u ankuan pasi vunë re se varrezat e vjetra të fshatit dhe eshtrat e paraardhësve të tyre po shiteshin si eshtra të ushtarëve grekë të vrarë gjashtëdhjetë vjet më parë. Sipas legjislacionit shqiptar, një zhvarrim mund të kryhet me vendim prokurorie ose gjykate. U dyshua se shkaku i nxitimit për kryerjen e zhvarrimit lidhej me faktin që një mauzoleum qe ndërtuar dhe përfunduar sakaq në Këlcyrë, pavarësisht se autoritetet shqiptare nuk patën dhënë ende një leje ndërtimi dhe se asnjë marrëveshje për të zgjidhur këtë problem mes Tiranës dhe Athinës nuk ekzistonte ende.
Janullatos konsultohet me Karamanlis
Sipas kabllogramit, Merdani ka thënë se kreu i kishës autoqefale, kryepeshkopi Anastasios Janullatos, vizitoi Kryeministrin grek, Karamanlis, në Athinë, në një takim ku u diskutua edhe çështja e varrezave. Një ditë më vonë, kisha lejoi policinë dhe prokurorinë shqiptare të hynin në kishën ku mbaheshin përkohësisht eshtrat, me qëllim që këtyre të fundit t’u kryhej autopsia. Janullatosi rezulton në këtë mënyrë një zyrtar i Karamanlis, me të cilin mund të konsultohet përpara se të japë miratimin e vet që policia dhe prokuroria shqiptare të kryejnë hetimet e nevojshme për një vepër penale.
Presion diplomatik për varrezat, 6 shtator 2011
Nga një kabllogramë e Wikileaks bëhej e ditur se fondet për ndërtimin ilegal të mauzoleumeve të ushtarëve grekë të vrarë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria greke.
Kabllograma me kod 06 Tirana 662 e 21 qershorit 2006 raportonte mbi incidentin e krijuar me zhvarrimet ilegale të zhvilluara në fshatin Kosinë të Përmetit. Një kabllogramë tjetër amerikane hedhte dritë mbi procesin e vështirë të negocimit të kërkesës greke për varreza lufte në territorin shqiptar, një negocim që Athina duket se e fitoi përmes shantazhit. Kabllograma 08 Tirana 745 raportonte për sqarimet e dhëna nga diplomati shqiptar, Islam Lauka, drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Rajonale. “Ambasadori i Greqisë i ka thënë (ministrit të Jashtëm) Basha se në rast se qeveria e Shqipërisë nuk bie dakord me kushtet e Athinës për varrezat ushtarake, atëherë Parlamenti i Greqisë nuk do ta ratifikojë kurrë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit”, thuhej në kabllogramë.
Varrezat greke, letra e MPJ për Berishën
 REPUBLIKA E SHQIPËRISË MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
Nr689 / Prot.
Tiranë, më/-15.05.2006
Lënda: Mbi çështjen e ndërtimit të varrezave të ushtarëve të rënë grekë gjatë viteve 1940-1941 në territorin shqiptar.
ZOTIT SALI BERISHA KRYEMINISTËR
I nderuar zoti Kryeministër,
Dëshiroj t’Ju vë në dijeni mbi çështjen e ndërtimit të varrezave të ushtarëve të rënë grekë gjatë luftës italo-greke në vitet 1940-1941 në territorin shqiptar. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në dhjetor të  vitit 2005 paraqitet një kërkesë për informim nga Komuna Qendër Tepelenë referuar shkresës që ndihmësi i atashehut ushtarak pranë Ambasadës greke në Tiranë, në të cilën kërkon rrethimin e një varreze të ushtarëve grekë pranë fshatit Dragot të kësaj Komune. Ministria e Punëve të Jashtme, në përgjigjen e saj në janar të viti 2006, i kërkon Komunës Qendër Tepelenë që në respektim të praktikës së komunikimit të përfaqësive të huaja të akredituara në Republikën e Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës greke për këtë çështje duhet t’i drejtohet autoriteteve kompetente të shtetit shqiptar.
Pas këtij komunikimi,
■ Me notën verbale të datës 10 Shkurt 2006, Ambasada e Greqisë në Tiranë  përcjell pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe për dijeni Ministrisë së Punëve të Jashtme, tekstin e protokollit për ndërtimin e varrezave të ushtarëve greke ne territorin shqiptar.
■ Në Datën 6 Mars  2006 Ministria e Mbrojtjes përcjell  për mendim projektin e propozuar nga pala greke pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në tekstin e të cilës parashikohej ndërtimi i tre varrezave për  të rënët grekë gjatë luftës.
■ Ministria e Punëve të Jashtme përgjigjet më datën 15 mars 2006, duke shprehur opinionin e saj, ndër të tjera, se vetëm një varrezë e përgjithshme është e mjaftueshme për qëllimin e këtij dokumenti.
■ Në datën 11-12 Prill zhvillohen konsultimet ndërmjet përfaqësuesve të të dy palëve në Ministrinë e Mbrojtjes, takim gjatë të cilit rishikohet teksti dhe  riformulohet, por duke parashikuar përsëri, si në projektin e parë, ndërtimin e tre varrezave;
■ Në datën 19 prill, Ministria e Mbrojtjes përcjell  për mendim tekstin e rishikuar të marrëveshjes pas negocimeve;
■ Ministria e Punëve të Jashtme për gjigjet më datë 2 maj, duke shprehur dhe një herë qëndrimin e saj për ngritjen e një varreze të vetme, duke iu referuar edhe rasteve të tjera analoge.
■ Më datë 11 maj 2006, në ambjentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme u zhvillua një takim i Ministrit, z.Mustafaj, me Ambasadorin e Republikës së Greqisë të akredituar në Shqipëri, z.Carcabassis, me  praninë edhe të Ministrit të Mbrojtjes, Z.Mediu. Gjatë diskutimeve në këtë takim, Ministri Mustafaj konfirmoi vullnetin e qeverisë shqiptare për ngritjen e një varreze në Bularat, meqë një e tillë tashmë ekziston, ndërtimin e një varreze në Këlcyrë duke qenë se rezulton që numri i të rënëve grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore të jetë i konsiderueshëm, ose ndërtimin e një varreze të përgjithshme në një nga këto dy vende. Ndërtimi i një varreze të vetme dhe përqendrimi i varreve në një varrezë do të krijonte lehtësi për kryerjen e ceremonive përkatëse, si dhe realizimin e masave të sigurisë.
Ambasadori Carcabassis, duke i’u referuar shifrave (në Bularat ekziston tashmë një varrezë me 50-60 varre dhe mendohet të ketë edhe 300 të tjera, në Korçë dihet që janë 600 varre dhe mendohet të jenë rreth 5000-6000 të tilla, ndërsa në Këlcyrë janë mbi  7000 varre, vend ku pala greke mendon të ndërtojë dhe një memorial për të rënët. Pra, sipas ambasadorit grek, numri i varreve rezulton të jetë gjithsej rreth 12000), insistoi në kërkesën për ngritjen e tre varrezave, duke përfshirë edhe Korçën. Ministri Mustafaj, duke theksuar edhe një herë respektin për të rënët grekë dhe vullnetin e mirë për të patur një qëndrim të përbashkët, duke respektuar edhe të rënët e çdo vendi tjetër në Shqipëri, si edhe të popullsisë vendase në këto zona, rikonfirmoi qëndrimin e palës shqiptare për ndërtimin e dy varrezave në Bularat dhe Këlcyrë.
Bazuar në sa më sipër, si dhe
• Duke marrë në konsideratë trajtimin e të rënëve gjatë luftës në Shqipëri, për të cilat shtete si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca kanë një varrezë të vetme të përgjithshme, atëherë edhe trajtimi të rënëve grekë në territorin shqiptar, duhet të trajtohet në mënyrë analoge. Ky qëndrim respekton në të njëjtën mënyrë marrëdhëniet me të gjitha vendet dhe demonstron vullnetin e mirë të qëverisë shqiptare për lejimin e palës greke për ngritjen e dy varrezave;
• Përsa i përket shkresës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, sqarojmë se kërkohet që në rast se varreza do të ndërtohet në trojet e kishës, atëherë duhet që të disponohet një dokument me anë të të cilit kisha të lejojë ndërtimin e varrezës në trojet e saj, si dhe dokumentet e pronësisë së trojeve në fjalë (dokumenti i paraqitur në MPJ shpreh vullnetin e kishës për të disponuar pjesë territoriale brenda vendeve të shenjta, pra paraqet një vullnet për të patur troje dhe jo për të vënë në dispozicion troje);
■ Shtojmë se ndërtimi I varrezave brenda territorit të Kishës mund të jetë problematik lidhur me reagimet eventuale të besimtarëve ortodoksë shqiptarë, si dhe të besimeve të tjera, banorë të zonave përreth;
■ Gjykojmë se përqendrimi në një varrezë krijon lehtësi për kryerjen e ceremonive përkatëse, si dhe realizimin e masave të sigurisë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh qëndrimin e saj për lejimin e ndërtimit të vetëm dy varrezave në Bularat dhe në Këlcyrë, ndërkohë që duhet të komunikojmë me autoritete pushtetit vendor në këto komuna për qëndrimin e tyre mbi këtë çështje. Duke ju falenderuar, Lutemi mendimin tuaj për sa më sipër.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT