Çok teşekkür ederim, Erdogan!

Nga Lorenc Vangjeli
At Joani është Metropolit i Korçës dhe një nga shqiptarët më të mençur që e ka shqipen gjuhë të nënës. Nëse një ditë, si shenjë e mrekullisë që Zoti e do Shqipërinë, ai do të bëhej kryeministër i Shqipërisë, Presidenti turk Erdogan do t’i hidhte krahun në sup dhe do ta quante “Byrazer!”.
Kush e ka dëgjuar të flasë Dom Gjergj Metën, nuk ka mundur të dyshojë në peshën e mençur të fjalës së tij. Dhe nëse ndonjëherë mençuria do të ishte testi i vetëm për të qenë kryeministër i vendit, ai do të ishte një nga fare pak kandidaturat e merituara për atë zyrë, por pa ju shmangur krahut të Erdoganit mbi sup që do ta quante gjithashtu “Byrazer”.
Cilido president turk do ta quante “Byrazer” cilindo kryeministër shqiptar. Eshtë i njëjti mekanizëm i ndërlikuar ku përzihen shumë më shumë se vetëm historia dhe tradita apo edhe interesi dhe nevoja shpirtërore, që e bën idhull Mbretëreshën e Anglisë në Australinë e largët apo e detyron Macronin t’i hipë për hall avionit drejt Libanit.
Apo për të dhënë një shembull kontravers, për të kuptuar Putinin e sotëm dhe marrëdhëniet e tij komplekse me perëndimin e Rusisë apo Lindjen e Evropës, duhet njohur më parë cari komunist Stalin dhe Pjetri i Madh.
Bota, për ata që kuptojnë pak më shumë sesa shohin sot, ka ndryshuar shumë pak. Eshtë i njëjti mentalitet i fuqive të mëdha që trashëgojnë nga historia vendet e pushtuara gjatë apo kolonitë, të cilat sot quhen me eufemizëm zona të influencës, aleanca strategjike, tractate miqësie apo përputhje interesash.
Fati i Shqipërisë, që është zakonisht fati tipik që i rezervohet vendeve te vogla, kushtëzoi që ta ngryste nën Perandorinë Osmane natën e çdo dite për pesë shekuj rresht. Të kishte ndodhur ndryshe, ndoshta shumëkush nga Tirana në Mitrovicë dhe nga Prizreni deri më në jug se jugu i vendit, mund të këndonte shqip, por me theks britanik “Zoti e Mbroftë Mbretëreshën!”. Mund të lexonte në origjinal Balzakun apo t’i dukej Vagneri i afërt nga fisi i nënës.