Beograd, korrik 1946: Enveri kërkon bashkimin Shqipëri-Kosovë, Tito refuzon

Në verën e vitit 1946, në vizitën e Enver Hoxhës në Moskë, problemi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, është pjesë e diskutimeve Tito-Enver. Sipas arkivave sekrete ruse, problemi i shtruar nga Enver Hoxha, përballet me argumentet e Titos se “nuk është momenti i përshtatshëm, si në situatën ndërkombëtare ashtu dhe në vetë Jugosllavinë për një hap të tillë”. Dokumentet origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), e sjellin këtë situatë nëpërmjet bisedës së regjistruar të 5 korrikut 1946 midis D. S. Çuvahin, ambasadori i Bashkimit Sovjetik në Shqipëri me Josip Gjergjen, të dërguarin e Jugosllavisë në vendin tonë. Po ashtu, në këto dokumente sekrete sillet biseda e regjistruar e 18 shtatorit 1946, midis D. S. Çuvahin me Koçi Xoxen, mbi përshtypjet e Enver Hoxhës nga pjesëmarrja në punimet e Konferencës së Paqes së Parisit dhe mbi pasojat e kryengritjes në qytetin e Shkodrës…
    *       *       *
Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç

Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç
(Bisedë e regjistruar e D. S. Çuvahin me të dërguarin e Jugosllavisë në Shqipëri, Josip Gjergje mbi çështjen e Kosovës dhe të Metohisë; mbi Konferencën e Partisë Komuniste të Shqipërisë në Berat, etj…)
Tiranë, më 5 korrik 1946
Sekret
Me iniciativën time i bëra vizitë Dzherdzhe-s. Ai sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte shkuar bashkë me delegacionin qeveritar shqiptar, me në krye Enver Hoxhën.
1. I kërkova të dërguarit, të më tregonte mbi përshtypjet e veta nga vajtja e shqiptarëve në Beograd. Kryesisht, Gjergje i karakterizoi rezultatet e vajtjes së Enver Hoxhës në Beograd me rëndësi të madhe politike për të dy vendet. Ai mendon se si rezultat i takimit të Enver Hoxhës me Titon dhe bisedimeve “kokë më kokë”, u arrit një pikëpamje unike, për një sërë çështjesh tepër të rëndësishme (Kosovë e Metohi, vlerësimi i punës së përfaqësuesve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë pranë KQ të PKSH, etj). Gjergje mendon, se vajtja e Enver Hoxhës në Beograd e ngriti së tepërmi autoritetin e tij, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.
Gjergje, më bëri të njohur disa të dhëna interesante, mbi pyetjet e veçanta që Enver Hoxha shtronte para Titos dhe mbi përgjigjet që jepte ky i fundit. Kështu, sipas fjalëve të jugosllavit, Enver Hoxha shtroi në mënyrë të papërshtatshme çështjen e Kosovës dhe të Metohisë. Në vend që të fliste hapur, siç i takon komunistit me komunistin, Enver Hoxha nga larg, bëri vërejtje të mëdha dhe në përgjithësi gjatë diskutimit të kësaj çështjeje, ndjehej në siklet dhe jo krejtësisht i bindur.
Në procesin e bisedës me Gjergjen u sqarua se Enver Hoxha vendosi të fliste me Titon për çështjen e Kosovës e të Metohisë, pasi mori telegram nga i dërguari shqiptar në Moskë, Koço Tashko. Ky i fundit, sikur e kishte informuar Enver Hoxhën, se gjatë kohës së qëndrimit para pak kohësh të marrshalit Tito në Moskë, J.V. Stalini, e kishte ngarkuar “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë, gjatë takimit të pritshëm me Enver Hoxhën në Beograd”.
Sipas fjalëve të Gjergjes, pikëpamja e Titos për fatin e mëtejshëm të Kosovës dhe Metohisë përmblidhet në faktin se “as situata e brendshme në Jugosllavi dhe as situata ndërkombëtare në përgjithësi, nuk e favorizojnë ngritjen e çështjes së bashkimit të këtyre krahinave me Shqipërinë. Nga kjo, sipas mendimit të Titos, Shqipëria nuk do të forcohej, ndërsa Jugosllavia mund të humbiste shumë, veçanërisht në Serbi, për të cilën ky problem ka rëndësi të veçantë”. Me interes është mendimi i vetë Gjergjes për çështjen e kalimit Shqipërisë, të Kosovës dhe të Metohisë. Për Shqipërinë dhe qeverinë e saj të tanishme, do të ishte fatkeqësi, në qoftë se kjo krahinë do t’i aneksohet Shqipërisë. Çështja është se në këtë rajon punët deri tani shkojnë jo kaq vaj, siç do të dëshironim ne. Kjo krahinë i sjell shumë telashe seksionit të mbrojtjes së popullit të Jugosllavisë (OZNA), pavarësisht nga fakti, se tashmë OZNA ka fituar përvojë të madhe. Mund ta merrni me mend, vazhdoi Gjergje, se çfarë mund të bënin shqiptarët në këtë rajon, gjatë organizimit të punës së tyre për sigurinë shtetërore? Thjesht, shqiptarët do të ishin torturuar nga kjo dhe kush e di, ndoshta, bashkimi në situatën e tanishme i Kosovës dhe Metohisë me Shqipërinë, do të kishte pasoja fatale për çështjen e paqes në Ballkan.
Unë, nuk doja të futesha në diskutim me të dërguarin jugosllav, për këtë çështje tepër delikate për të dyja vendet. Opinioni i tij meriton të vihet në dukje dhe ai pa dyshim shpreh mendimin e qarqeve të caktuara në Jugosllavi, që mendojnë se rajonet e Kosovës e Metohisë janë prej kohësh toka jugosllave, dhe se shqiptarët “nuk kanë” shkaqe të veçanta bindëse lidhur me pretendimet e tyre për këto rajone.
2. Më pas, u interesova mbi përgjigjet e Titos, lidhur me problemet partiake që Enver Hoxha i kishte parashtruar atij. E pyeta Gjergjen, se si e vlerëson Tito konferencën e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të Beratit, përderisa për të, deri tani vazhdon të flitet shumë dhe ekzistojnë mendime të kundërta. I dërguari më njoftoi si më poshtë.
Sipas fjalëve të tij, Tito mendon se në konferencën e Beratit jo gjithçka ishte keq (siç thotë për të Enver Hoxha). Kjo Konferencë mundi të zbulojë shumë mangësi në punën e partisë shqiptare dhe gabime të udhëheqjes së saj. E metë e Beratit ishte se kjo konferencë, pasi verifikoi gabimet e udhëheqjes së partisë dhe pasi zbuloi mungesat e punës së saj, nuk mundi të përcaktonte rrugët për korrigjimin e tyre. Edhe këtu, sipas mendimit të Titos, përfaqësuesit e Partisë Komuniste Jugosllave u treguan në lartësinë e detyrave të veta. Tito, sipas fjalëve të Gjergjes, e këshilloi Enver Hoxhën të arrinte unitetin në KQ të PKSH, duke theksuar, se e gjithë përgjegjësia për gjendjen në vend dhe në parti, bie tërësisht mbi Sekretarin e Parë të Partisë, domethënë mbi vetë Enver Hoxhën.
3. Gjergje më tregoi për “incidentin” diplomatik, që ndodhi me misionin shqiptar në Beograd, gjatë pritjes për nder të Enver Hoxhës. U ngritën shumë dolli. Së fundi, fjalën e mori Enver Hoxha. Ai tha se propozon të pimë për të gjithë popujt progresivë dhe demokratikë, por edhe për Francën. Ambasadori francez i pranishëm në këtë rast, i zbardhur nga zemërimi protestoi dhe duke iu drejtuar Enver Hoxhës, gjoja pyeti: “pse edhe për Francën”.
I gjithë “incidenti”, sipas fjalëve të Gjergjes, u mbyll menjëherë. Enver Hoxha gjoja, pasi vuri re mungesën e taktit të tij, e ndreqi pak gabimin, duke propozuar të pimë për traditat revolucionare të popullit francez.
4. Në këtë pritje, të dhënë nga misioni shqiptar, Enver Hoxha, pasi u takua me ambasadorin polak Vende, e pyeti këtë të fundit se përse qeveria polake nuk dërgon përfaqësuesin e vet në Tiranë. Lidhur me këtë, Vende deklaroi se tani për tani, qeveria e re polake “nuk ka as mjete, as njerëz që të mund t’i dërgojë në Shqipëri”.
Me kaq biseda përfundoi.
I dërguari i BRSS në Shqipëri, D. Çuvahin.
(Burimi:Sf ve t.I, AVP RF, F.06, Op.8, P.22. D.319. L.30-33. Nr.106. Origjinal).
*      *        *
BISEDA KOÇI XOXE-SUVARIN
(Bisedë e regjistruar e D. S. Çuvahin me Koçi Xoxen, mbi përshtypjet e Enver Hoxhës nga pjesëmarrja në punimet e Konferencës së Paqes të Parisit dhe mbi pasojat e kryengritjes në qytetin e Shkodrës)
Tiranë, më 18 shtator 1946
Sekret
1. U takova me Koçi Xoxen në apartamentin e tij. Ai më tregoi për bisedën me Enver Hoxhën, i cili ishte kthyer dje nga Parisi. Sipas fjalëve të Koçi Xoxes, Enver Hoxha i foli me entuziazëm të madh për takimet e tij me shokun V. M. Molotov dhe me përfaqësuesit e tjerë, tanët, në Konferencën e Paqes. Në Konferencën e Parisit, më thotë Koçi Xoxe, Enverit i kishte pëlqyer më shumë se gjithçka, politika jashtëzakonisht e vendosur e qeverisë sovjetike. Qeveria shqiptare, deklaroi Xoxe, asnjëherë nuk ka për ta harruar ndihmën që i dha dhe vazhdon t’i japë popullit shqiptar delegacioni sovjetik në Konferencën e Parisit. Enver Hoxha ka treguar, – thotë Koçi Xoxe, – se përfaqësuesit sovjetik në komisionet e ndryshme të Konferencës, nuk lejuan të shkelen të drejtat e Shqipërisë së vogël dhe në qoftë se, një gjë të tillë e kërkonte situata, ata folën disa herë duke mbrojtur të drejtat dhe interesat e Shqipërisë. Sipas fjalive të Koçi Xoxes, Hoxha u kthye nga Parisi me optimizëm të madh dhe tani, si asnjëherë më parë, është i bindur në drejtësinë e rrugës, nëpër të cilën ecën ndërtimi i Shqipërisë së re demokratike. Më interesanti i kohës së fundit, – vuri në dukje Koçi Xoxe, – është fakti, se Caldarisi nuk do të ngrejë më problemin e kufirit shqiptaro-grek .
2. Koçi Xoxe, me iniciativën e vet, filloi të flasë përsëri mbi artikullin e Omer Nishanit në gazetën fashiste “Tomorri”. Pasi vuri në dukje, se në të kaluarën Partia e kishte nënvleftësuar këtë çështje, Koçi Xoxe deklaroi se tani çështja është plotësisht e qartë dhe doktor Omer Nishani duhet zëvendësuar. Mund të bëhet fjalë vetëm për faktin, që duhet gjetur situata e përshtatshme dhe zëvendësimi të bëhet në mënyrë që Caldarisi dhe miqtë e tij, të mos krijojnë përshtypje se Omer Nishani është hequr, lidhur me diskutimin kundër tij në Konferencën e Parisit. Koçi Xoxe shpreson se ky zëvendësim do të bëhet i qetë, sepse në Shqipëri nuk ka grupim të tillë politik, ku mund të mbështetej kundërshtimi i tij.
3. I kërkova Xoxes të më tregonte, se si shkojnë punët pas “rebelimit” në Shkodër. Sipas fjalive të tij, atje tani po bëhet një spastrim rrënjësor i të gjithë elementëve të dyshimtë, që kishin marrë pjesë në organizimin e rebelimit; brenda në qytet, tani për tani, janë arrestuar deri në 60 vetë, duke përfshirë këtu edhe nipin e deputetit të Kuvendit Popullor (nga Shkodra) Riza Dani. Spastrim bëhet edhe në qytete të tjera, si në Lezhë (Alesio), Dukagjin, Kukës etj. Dy ditë më parë, u arrestua deputeti i Kuvendit Popullor (nga Dukagjini) Kol Prela, i njohur prej kohësh për lidhjet e tij me elementët antiqeveritarë, reaksionarë. Sipas fjalëve të Koçi Xoxes, nga numri i përgjithshëm deri 250 vetë, që kishin marrë pjesë në rebelim, 30 vetë u pushkatuan, 25 vetë ende fshihen në male, disa dhjetëra ndodhen në arrest, ndërsa të tjerët (fshatarë të thjeshtë) u liruan dhe shkuan në shtëpitë e tyre. “Ne mendojmë, – deklaroi Koçi Xoxe, – ta shfrytëzojmë këtë rast, me qëllim që njëherë e mirë të çlirohemi nga çdo e papritur”.
E falënderova ministrin për këtë informacion.
I dërguari i BRSS në Shqipëri, Dm. Çuvahin
(Burimi:Sf ve, t. I, AVP RF, F. 06, Op.8, P.22. D.319, L. 102-104. Nr. 118. Origjinal).

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT